Supremja cakton seancë për Selimin, Lushtakun e Demakun

Avokati Tomë Gashi ka njoftuar se Gjykata Supreme e Kosovës ka caktuar seancë gjyqësore për Sylejman Selimin, Sami Lushtakun e Jahir Demakun.

Lajme

24/05/2017 16:42

Përmes një postim në profilin e tij në “Facebook”, avokati i të akuzuarit Sylejman Selimi ka thënë se Gjykata Supreme e Kosovës ka caktuar seancë të kolegjit për datën 20 qershor 2017, për të vendosur lidhur me ankesat e avokatëve.

“Sa i përket Gjeneral Sylejman Selimit rasti ka të bëjë me një pikë të aktakuzës në të ashtuquajturin ”Drenica I” për të cilin Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka shpallur të pafajshëm, ndërsa me ankesë të Prokurorit të Eulex-it Gjykata e Apelit e Kosovës në Prishtinë e ka shpallur fajtor”, ka shkruar Gashi.

Ai ka thënë se shpreson që drejtësia do të fitojë dhe klienti i tij dhe të tjerët do të shpallen përsëri të pafajshëm.

Përndryshe Gjykata e Apelit kishte sjellë aktgjykim në rastet “Drenica 1” dhe “Drenica 2”, me ç’rast të gjithë komandantët dhe ushtarët e UÇK-së pjesë të këtyre dy gjykimeve i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me burg. /Lajmi.net/