Mustafa: Marrëveshja me Z-Mobile shpëtoi PTK-në nga falimentimi (Video)

Drejtori VALA-s dhe pronari i Z-Mobil  Blerim Devolli  kanë nënshkruar  marrëveshje mirëkuptimi pas vendimit të Arbitrazhit.

Lajme

24/05/2017 11:37

Agron Mustafa drejtor menaxhues i VALA-s, ka thënë se më këtë marrëveshje i kanë ikë vendimit të Arbitrazhit, nga i cili rrezikohej falimentimi i PTK-së.

Ai në konferencën për media ka thënë se nuk i kanë pasur mjetet prej 32 milionë eurove për t’i paguar nga vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit

“Ne sot kemi arritur një marrëveshje e cila shpëton nga falimentimi PTK-në. Telekomi i Kosovës mbetet i paprekur nga kjo padi, falë bisedimeve mes meje dhe Blerim Devollit dhe menaxhmentit të PTK-së dhe Z-Mobile”, ka thënë Mustafa, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se në rast se nuk do të arrihej kjo marrëveshje do të mbeteshin pa punë 3500 punëtorë.

Mustafa ka bërë të ditur se PTK do të paguaj shpenzimet e Arbitrazhit për Z-Mobile, që sipas tij është e konsiderueshme, por larg asaj prej 32 milionë euro.

Ndërsa, përfaqësuesi  Z-Mobil, Milot Gjikolli ka thënë se më këtë marrëveshje kanë treguar se nuk dëshirojnë të mbyllin bizneset.

“Kam kënaqësinë që kemi arritur një marrëveshje. Gjatë viteve nuk kemi pasur respektim të marrëveshjes dhe mos respektimi i marrëveshjes parashihte padinë në Arbitrazh”.

“Ne kemi treguar që Z-Mobile nuk është për shuarje të bizneseve”, ka thënë ai.

Zmobile kishte paditur në Gjykatën e Arbitrazhit, PTK-në për mos respektim të kontratës, ku nga vendimi i Arbitrazhit PTK obligohej që t’i paguante Z-Mbolie 32 milionë euro./Lajmi.net/