Rikthehen mashtruesit e aviobiletave
Qytetarë nga Kosova, por që kanë regjistruar agjenci kryesisht në Gjermani dhe në Zvicër, edhe sivjet kanë filluar t’i mashtrojnë qytetarët duke iu ofruar aviobileta me çmime tejet të lira. Deri më tash janë më shumë se 50 mijë qytetarë, të cilët kanë rënë viktimë e mashtruesve të aviobiletave
Lajme
Agjenci të shumta të regjistruara nëpër shtete të ndryshme të botës, mbrapa të cilave qëndrojnë kryesisht persona nga Kosova, edhe sivjet kanë filluar t’i mashtrojnë qytetarët, duke u dërguar nëpër telefonat e tyre përmes “Viber”-it oferta super të lira për pushime verore në Turqi, por edhe në shtete të tjera, por edhe oferta për bileta avioni në vende të ndryshme të Evropës, por edhe më gjerë.
“Rezervoni më herët dhe përfitoni çmime më të lira. Hotel me 4 yje, ‘All Inclusive’ prej 299 eurosh për shtatë net, hotel me 5 yje, ‘All Inclusive’ prej 370 euro për 7 net. Për rezervime na kontaktoni përmes numrave të telefonit apo edhe uebfaqes”, thuhet në një mesazh që u është dërguar shumë qytetarëve nga platforma “Viber” nga një numër i telefonit të Rusisë.
Përveç kësaj edhe agjenci të tjera përmes “Viber”-it po promovojnë oferta shumë të lira për të udhëtuar me avion për në Gjermani e Zvicër me çmime minimale.
Për të qenë sa më bindës individët e njëjtë, por duke ndërruar emrat e agjencive, përdorin edhe “Call Center” ilegalë që operojnë në vendin tonë. Të njëjtit deri sa arrijnë t’i marrin paratë nga qytetarët promovojnë zyrat dhe numrat e telefonit në vendin tonë. Por, në momentin kur e arrijnë qëllimin, zyrat e tyre mbyllen, e numrat e telefonit nuk funksionojnë fare. Bazuar në të dhënat e fundit llogaritet se deri më tash më shumë se 50 mijë qytetarë janë viktimë e këtyre agjencive mashtruese, të cilët kanë paguar mjetet, por nuk kanë arritur të fluturojnë pasi që agjencitë e tilla në momentet e fundit kanë anuluar fluturimet.
Gjatë vitit 2015, nën dyshimin se kanë mashtruar qytetarët me aviobileta, Policia e Kosovës kishte arrestuar një pronar të një agjencie që funksiononte në vendin tonë, por përkundër kësaj, mashtrimi ndaj qytetarëve nuk ishte ndalur fare.
Ashtu sikurse në të kaluarën, që nga përfundimi i luftës e deri më tash, mesi i vitit (qershor, korrik, gusht) dhe muaji dhjetor janë shndërruar në muajt e “artë” për agjenci mashtruese, ku këta të fundit brenda një kohe relativisht të shkurtër arrijnë të grumbullojnë shuma të mëdha parash. “Një fjalë e urtë thotë ‘çorba e lirë t’i djegë buzët’. Kështu na ndodhi edhe neve. Bileta e lirë na la në Kosovë. Ky është mjerim. Kjo ndodh vetëm në vendin tonë”, i ka thënë gazetës një plak rreth të shtatëdhjetave, i cili nuk deshi të identifikohej për gazetën. Para pakë ditësh shumë qytetarëve nga Kosova, përmes “Viber”-it të hapur nga numër i telefonit i Rusisë, por edhe shumë shteteve tjera, u janë dërguar oferta për pushime verore në Turqi me çmime tejet të lira. “Unë së pari po habitem ku e morën këta numrin tim për të ma dërguar ketë ofertë”, tha një qytetar i cili kishte marrë ditëve të fundit disa mesazhe përmes “Viber”-it nga numri i Rusisë.
Zharku: Agjencitë mashtruese s’kanë qenë nga Kosova
Në anën tjetër Lutfi Zharku, ministër në largim i Infrastrukturës, thotë se në të kaluarën agjencitë që kanë mashtruar bashkatdhetarët tanë që jetojnë në diasporë kanë qenë të regjistruar në shtete të ndryshme të Evropës, por edhe më larg.
Ai thotë se ministria që ai ka drejtuar ka shtuar efikasitetin, ku në masë të madhe ka rënë veprimtaria e mashtrueseve.
“Unë në bazë të të dhënave që i kam, kam parë se gjatë vitit që lamë pas nuk kemi pasur raste të mashtrimit, sikurse ka ndodhur kohë më parë”, ka thënë Zharku për gazetën “Zëri”.
Po ashtu edhe Avdi Kamerolli, drejtor i Departamentit të Aviacionit Civil në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë se gjatë vitit që lamë asnjë qytetar nuk ka raportuar të jetë mashtruar nga agjenci të ndryshme.
“Gjatë vitit 2016 asnjë qytetar nuk ka mbetur në Aeroportin e Prishtinës e për aeroporte të tjera nuk e di. Gjatë vitit që lamë pas asnjë ankesë nuk është bërë në Ministrinë e Infrastrukturës”, ka thënë Kamerolli për gazetën “Zëri”.