Turizmi në Shqipëri, viti 2017 pritet të jetë i mbarë

“Më në fund Shqipëria ka hyrë në hartën turistike”, shprehet Enver Mehmeti, i cili zotëron një nga agjencitë kryesore të udhëtimeve në vend. Ai thotë se Shqipëria po hyn në një tjetër vit të mbarë turistik.

Lajme

23/05/2017 20:32

“Kemi një rritje të konsiderueshme në kërkesën e pushimeve të plazhit. Harta e turistëve nuk është më e centralizuar, sllovak dhe polak, por tendencat janë në rritje. Ka shkuar në Europën e veriut, ka shkuar në Itali, ka shkuar në tregun slloven, e pse jo, edhe gjermanët janë në studim të tregut shqiptar”, thotë më tej Mehmeti.

Vitin e kaluar, ekonomia shqiptare përfitoi 1.5 miliardë euro të ardhura nga turistët e huaj. Zak Topuzi, nga Shoqata e Hoteleri-Turizmit, pret që ky rekord të thyhet këtë vit.

“Shpresojmë për një turizëm rezultativ këtë verë. Situata politike që përmirësohet, sigurisht që ka ndikim të jashtëzakonshëm”, thotë Zak Topuzi.

Por për të përballuar rritjen e kërkesës nga turistët e huaj, ekspertët thonë se Shqipëria ka nevojë për investime të reja.

“Shqipëria vuan numrin e shtretërve, ka një mangësi dhe në periudhën e verës, kur kërkesat janë më të mëdha, nuk ka hotele resorte të cilët shesin paketa të plota”, thotë Zak Topuzi.

“Duhet të shtrijmë zonat turistike jo vetëm në Durrës dhe Sarandë, por bregdeti ynë ofron shumë më tepër. Unë mendoj që potenciali i një sistemi rrugor të mirë dhe një aeroporti të dytë do ta bënte Shqipërinë një treg me një shumëfish numrash”, thotë Enver Mehmeti.