Beogradi shantazhon serbët e Kosovës: Kë të votojnë?!

Beogradi zyrtar po u bën presion qytetarëve serbë të Kosovës që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës të votojnë vetëm për Listën Serbe, si dhe po përdor forma shantazhi ndaj pesë subjekteve tjera politike serbe, të cilat janë pjesë e garës zgjedhore, vlerësojnë përfaqësuesit e disa subjekteve politike serbe në Kosovë, si dhe njohësit e zhvillimeve politike.

Lajme

23/05/2017 18:58

Kryeministri në largim, përkatësisht presidenti i zgjedhur i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të votojnë vetëm për Listën Serbe.

Ai, madje, ka theksuar se “forca të caktuara shqiptare dhe të botës po i blejnë serbët, në mënyrë që t’i kenë katër prej dhjetë deputetëve serbë për ta votuar ushtrinë e Kosovës”.

Nenad Rashiq, drejtues i Partisë Demokratike Përparimtare, subjekt politik serb në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se Beogradi zyrtar as që ka tentuar t’i unifikojë përfaqësuesit politikë të serbëve në një listë të përbashkët, por i ka ndarë serbët në “të mirë” dhe në “të këqij”.

Me këtë retorikë, sipas tij, Beogradi zyrtar po i përçan serbët në “të jugut” dhe “të veriut” dhe ka shfaqur tendencën që serbët e veriut të Kosovës t’i marrin funksionet në institucionet e Kosovës.

Sjellja aktuale e Beogradit zyrtar ndaj subjekteve politike dhe vetë komunitetit serb në Kosovë është formë e presionit, tha Rashiq.

“Me këtë sjellje, Beogradi do të ndikojë në strukturat e serbëve të Kosovës dhe vetë serbët dhe sigurisht do ta pamundësojë që përfaqësimi të jetë me kapacitete të plota dhe me njerëz burimorë. Ju keni parë se çfarë terminologjie po përdoret, se kinse disa serbë, siç thotë edhe Marko Gjuriq (drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë) do të votojnë për krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Në fakt, në këtë moment nuk ekziston ndonjë serb në Kosovë që do të votonte për këtë ushtri”, tha Rashiq.

Beogradi (s’)mund ta krijojë listën unike për zgjedhjet në Kosovë

Aleksandar Jabllanoviq, ish-themelues i Listës Serbe, aktualisht drejtues i Partisë së Serbëve të Kosovës, e cila në garën zgjedhore të 11 qershorit është futur në koalicion me Iniciativën Qytetare Aktive, tha për Radion Evropa e Lirë se Beogradi zyrtar është duke gabuar me politikën e tij të animit vetëm kah Lista Serbe.

“Ato po u ndodhin serbëve në Kosovë, mund të them lirisht se janë kërcënimet më të vrazhda, të cilat serbët i kanë prej vitit 1999, prej kur merren me politikë. Këto kërcënime, fatkeqësisht, vijnë nga ana e institucioneve të shtetit tonë, Serbisë, të cilat funksionojnë ende në Kosovë. Unë nuk e kuptoj se cila është prapavija e kësaj, përveçse mund të shoh se caku është që tash të krijohet frikë dhe ngatërrim te njerëzit, se kinse një grup i serbëve do të ketë guxim dhe do të vendosë që ta formojë Ushtrinë e Kosovës”, tha Jabllanoviq.

Ai shtoi se kërcënime janë duke marrë përfaqësuesit e subjekteve të ndryshme politike serbe në Kosovë. Gjithashtu, sipas tij, familjarët e tyre kërcënohen se do të mbesin pa punë, se studentët do të mbesin pa konvikte.

Jabllanoviq theksoi se Beogradi, me këto veprime, vetëm sa po e vë veten në situatë të rëndë.

Tensione në Listën Serbe, nuk dihet kush është kryetari, Jabllanoviq apo Simiq

Por, njohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjell Nojkiq, tha për Radion Evropa e Lirë se sjellja e Beogradit zyrtar ndaj serbëve të Kosovës nuk paraqet asgjë të re.

Sipas tij, Beogradi, tash e disa vite, përpiqet t’i orientojë serbët e Kosovës se si të votojnë, duke mos llogaritur se një pjesë e votuesve janë kundër Listës Serbe ose favorizojnë ndonjë subjekt tjetër politik serb.

“Ata që janë kundër kësaj liste, ose favorizojnë ndonjë listë tjetër, nuk janë më pak serbë, më pak të rëndësishëm dhe të ndershëm sesa këta që zoti Vuçiq, Gjuriqi dhe të tjerët nga Qeveria e Serbisë i bëjnë të rëndësishëm dhe vetëm ata i promovojnë si përfaqësues serbë. Mendoj se kjo është krejtësisht e gabuar dhe kjo është një prej nënçmimeve të radhës të serbëve të kësaj hapësire. Do të shihni se, pavarësisht faktit se do të ketë presione të llojllojshme që të votohet për Listën Serbe, një numër i caktuar këtë nuk do ta bëjë dhe kjo edhe më shumë do t’i ndajë serbët”, tha Nojkiq.

Ai shtoi se në mesin e serbëve të Kosovës ka mjaft të tillë, të cilët nuk mendojnë ashtu siç mendon Qeveria e Serbisë.

Përfaqësuesit politikë të serbëve po garojnë për 10 vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës, i cili ka 120 vende.

Sipas Nojkiqit, në sesionin e ri, në opozitë do të ketë edhe serbë, në qoftë se Beogradi zyrtar nuk i dëgjon edhe serbët tjerë dhe jo vetëm Listën Serbe.