Ish-shefi i CIA-s është ankuar për ndërhyrjen ruse qysh në gusht

Ish-drejtori i CIA-s, John Brennan, tha se ka biseduar direkt me kreun e agjencisë kryesore ruse të sigurisë, për t’u ankuar për keqtrajtimin e diplomatëve amerikanë dhe përpjekjet e dukshme të Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Bota

23/05/2017 18:10

Brennan i tha Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve se biseda më drejtorin e Shërbimit Federal të Sigurisë, Aleksandr Bortnikov, është zhvilluar në muajin gusht, derisa zhvillohej fushata presidenciale.

Brennan tha se i ka thënë Bortnikovit se ndërhyrja e vazhdueshme e Rusisë do të dështojë dhe do të pengojë çdo ngrohje të marrëdhënieve midis Moskës dhe Uashingtonit.

Po ashtu në gusht, FBI ka hapur hetime për marrëveshje të mundshme midis anëtarëve të fushatës së Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Këto lidhje nuk janë vetëm fokus i hetimeve të FBI-së, por edhe i disa hetimeve të Kongresit.

Çështja i ka hedhur hije administratës së presidentit Donald Trump, prejse ka marrë detyrën në muajin janar.

Vendimi i Trumpit për të shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey, ditë më parë, shkaktoi trazira politike dhe bëri që Departamenti i Drejtësisë të emërojë një këshilltar të posaçëm për të mbikëqyrur hetimet e agjencisë në administratën Trump.