Dënimi me kusht për dhunuesit në Kuvendin e Maqedonisë vlerësohet skandaloz
Dënimi me kusht për disa nga dhunuesit që rrahën deputetë, për ekspertët juridikë është skandaloz. Ish prokurori Aleksandar Nakov konsideron se të akuzuarit patjetër të gjykohen për vepra të ndryshme e jo të vendosen në një “thes” dhe me të njëjtën akuzë.
Lajme
“E pakënaqshme është edhe vetë akuza. Vetë procedura e shkurtuar dhe aktgjykimi i miratuar për mua është tejet skandaloz. Kisha rastin t’i shoh filmimet ku qartë shihet veprimi i tyre në mënyrë individuale dhe në veprime që nuk nënkuptojnë “pjesëmarrje në turmë”, por janë vepra më të rënda penale”, deklaroi ish prokurori publik Aleksandar Nakov.
Ndërkohë Besa Arifi e cilëson si kontrovers vendimin e gjykatës, i cili tregon qartë për domosdoshmërinë e reformimit të gjyqësorit.
Nëse aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm, nuk do të ketë hapësirë për rikualifikim të veprës, kështu që të gjykuarit nuk do të mund të përgjigjen për vepra më serioze penale. Standardet e ndryshme të prokurorëve dhe gjykatës dolën në sipërfaqe kur protestuesit për rastin “Monstra” morën dënim prej dy vjet e gjysmë për thyerjen e dritareve të Gjykatës, ndërsa sulmuesit e deputetëve morën dënime minimale edhe atë me kusht. /AlsatM/