Ja ligji drastik që çon në burg të gjatë, ata që blejnë & shesin votën me para dhe vende pune
Shitblerja e votës me para në dorë, ushqime dhe veçanërisht nëpërmjet vendeve të punës në administratë ka qenë një armët më të forta elektorale, të shumë partive shqiptare. Nëpërmjet skemës, bli votën-merr pushtet, bëj para në pushtet me korrupsion-bli prapë votën, e kështu gjithmonë, një klasë e caktuar politike ka arritur të blindohet në pushtet dhe që zgjedhjet në Shqipëri të mos nxjerrin asnjëherë vullnetin real të popullit.
Lajme
Një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes Rama-Basha ishte ajo për ashpërsimin e ndëshkimeve ligjore, për të gjithë ata që do të tentojnë të tjetërsojnë votën gjatë zgjedhjeve. Në funksion të kësaj dje parlamenti miratoi ndryshimet përkatëse në Kodin Penal, që radikalizojnë masat ndaj qytetarëve e nëpunësve të administratës shtetërore, që do të tentojnë të blejnë apo shesin votën gjatë fushatës zgjedhore. Burgu është fjala e vetme, që përmendet në këto ndryshime.
Por cilat janë ato?
– Fotografimi, filmimi apo dokumentimi i votës përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
– Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
– Ofrimi ose dhënia e parave, premtimi për vend pune apo favorizime të tjera në kundërshtim me ligjin në këmbim të votes, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
– Kërkimi ose pranimi nga zgjedhësi i parave apo të mirave materiale në këmbim të votës dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
– Pengimi i zgjedhësit për të votuar duke i marrë apo dëmtuar dokumentin e identifikimit votuesit dënohet me burgim nga një vit deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryehet më shumë se një herë, ndaj më shumë se një zgedhësi apo kur kryhet nga komisionerët zgjedhorë dënimi është me burgim nga tre deri në shtatë vjet.
– Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në votim dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
– Shpërdorimi i vendit të punës nga punonjësit e administratës shtetërore në favor të partive politike përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet.
– Pjesëmarrja e punonjësve shtetëror në aktivitete të fushatës zgjedhore, në kundërshtim me ligjin dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.