Djali i Hashim Thaçit dhe vajza e Lirie Gashit

Një shtet ku djali i Presidentit është kaq i privilegjuar dhe në të njëjtën kohë vajza e qytetares anonime privohet nga jeta dhe nuk mund të sigurohet as minimumi i drejtësisë, është në thelb i dështuar.

Opinion

04/05/2017 16:22

Djali i Hashim Thaçit dhe vajza e Lirie Gashit.

Nganjëherë nuk ka nevojë për hulumtime për të dëshmuar pabarazitë në një shtet.

Para dy ditësh qarkulluan fotot e djalit të Presidentit, këtë herë ishte në Miami për pushime. Ndërsa, pas dy ditësh bëhen 11 muaj nga vdekja e vajzës së Lirie Gashit, Xhenetës, si pasojë e neglizhencës institucionale.

Prokurorisë në Prizren nuk i mjaftuan as 11 muaj për të ngritur aktakuzë për rastin e Xhenetës, ndërsa Presidentit po i mjafton vetëm rroga për të financuar udhëtimet e djalit të tij.

Hendeku mes djalit të Hashim Thaçit dhe vajzës së Lirie Gashit është paimagjinueshëm i madh. Edhe pse të dy fëmijë të këtij vendi, praktikisht jetojnë (kjo e dyta fatkeqsisht as nuk jeton më) si në dy universe paralele.

Një shtet ku djali i Presidentit është kaq i privilegjuar dhe në të njëjtën kohë vajza e qytetares anonime privohet nga jeta dhe nuk mund të sigurohet as minimumi i drejtësisë, është në thelb i dështuar.

Xheneta humbi jetën pasi u shemb një monument i mbrojtur, për restaurimin e të cilit institucionet nuk ndanë buxhet.

Familja e saj ishte rast social, ndërsa institucionet nuk ofruan as strehim të sigurt. Sikur paraja publike të përfundonte në vendin e duhur, me gjasë monumenti nuk do të shembej, familja e Xhenetës do të kishte strehim të sigurt, ajo do të ishte gjallë, ndërsa i vetmi dëm do të ishte pamundësia e djalit të Presidentit për të shijuar plazhet e Miamit.