“Maqedonia del nga kriza vetëm nëse kemi tranzicion paqësor, Ali Ahmeti lider i palëkundur”

Maqedonia mund të dalë nga kriza vetëm nëse kemi një tranzicion paqësor të pushtetit tek mazhoranca e re e formuar mes LSDM-së dhe partive shqiptare që kanë shumicën e qartë në parlament si dhe ndërmarrjen e atyre reformave të dyfishta kështu mendon Adri Nurellari.

Lajme

28/03/2017 21:20

Sipas tij kriza në Maqedoni mund të reflektohet edhe në Kosovë e Shqipëri pasi shqiptarët kanë lidhje shpirtërore dhe është rritur niveli i solidaritit me styre.

Duke folur për bllokimin e VMRO-së me protesta për të mos e dhënë pushtetin shumicës parlamentare, Nurellari thotë se Lëvizja BESA mundohet dhe përpiqet të distancoheht nga BDI-ja duke u përpjekur që platformën ta nxjerrin si produkt të Tiranës pavarësisht se kjo gjë çon ujë në mullirin e retorikës nacionaliste të VMRO-DPMNE-së dhe presidentit Ivanov.

VMRO-së i duhet një tranzicion spanjoll thotë Nurellari, ku në rastin e Spanjës, pas shembjes së regjimit të Frankos, nuk pati fare drejtësi të tranzicionit, të gjitha palët vendosën ta mbyllin kapitullin e së kaluarës pa vënë para përgjegjësisë ligjore frankistët.

Sa i përket votuesëve shqiptarë a do të mbeten besnik ndaj LSDM-së dhe a do të rikthehen në partitë shqiptare Nurellari vlerson se herët është në Maqedoni të ketë parti ndër-etnike  Partitë shqiptare marrin  mësim nga pësimi, të  reflektojnë dhe ripërtërijnë kuadrot politik me figura të reja të pakomprometuara  dhe  votuesi shqiptar ka për t’iu rikthyer.

Lexoni intervistën e plotë të Adri Nurellarit për TetovaSot

Kriza në Maqedoni a mund të reflektohet edhe në Kosovë dhe Shqipëri?

Adri Nurellari:  Padyshim që mund të reflektohet, unë mendoj se lidhjet shpirtërore mes pjesëve të ndryshme të kombit shqiptar në vitet e fundit vetëm janë rritur e po ashtu edhe niveli i solidaritetit mbarë-shqiptar kështu që padyshim që në Prishtinë dhe Tiranë ka një ndjeshmëri të madhe për sa i përket asaj që ndodh në Shkup. Po ashtu këto tre shtete janë shumë të ndërlidhur  e të ndërvarur në shumë sfera dhe do krizë ka rrezik të madh të infektojë vendin fqinj e të marrë përmasa rajonale. Kuptohet që interesi parësor strategjik i Kosovës dhe Shqipërisë është që Maqedonia të jetë në stabilitet dhe të zhbllokojë rrugën drejt integrimit Euro-Atlantik. Për rrjedhojë çdo rritje e influencës pro ruse apo pro-lindjes së mesme vë në pikëpyetje gjendjen në rajon dhe shkon ndesh orientimin gjeopolitik historik drejt perëndimit që kanë shqiptarët.

Si e sheh daljen nga kriza në Maqedoni?

Adri Nurellari:  Maqedonia mund të dalë nga kriza vetëm nëse kemi një tranzicion  paqësor  të pushtetit tek mazhoranca e re e formuar mes LSDM-së dhe partive shqiptare që kanë shumicën e qartë në parlament si dhe ndërmarrjen e atyre reformave të dyfishta. Nga njëra anë përmbushin kërkesat e shqiptarëve që kanë ngelur pezull pa plotësuar prej Marrëveshjes së Ohrit duke iu dhënë shqiptarëve peshën politike, ekonomike e sociale që iu takon të kenë dhe duke eliminuar kështu njëherë e mirë arsyet apo motivet e tensioneve ndër-etnike. Nga ana tjetër duke ndërmarrë ato reforma që sjellin sundimin e ligjit,  demokratizimin e vendit dhe depolitizimin e administratës duke zhbllokimin kështu njëherë e mirë procesin e integrimit Euro-Atlantik.

Faktori politik shqiptar në këtë situatë duhet të jetë sa më i bashkuar dhe I matur në veprime duke parandaluar e shmangur me çdo kusht veprimet impulsive, tensionet ndëretnike apo përshkallëzimin e dhunës. Po ashtu është e domosdoshme që të konsultohet për çdo veprim me partnerët perëndimorë dhe me qeveritë e Prishtinës dhe Tiranës për të bërë mandej veprime sa më pjekura e largpamëse. Unë krenohem me faktin që elita politike shqiptare në Maqedoni në përgjithësi, dhe lideri kryesor i shqiptarëve Ali Ahmeti në veçanti, e kanë mbajtur një kurs të qartë e të palëkundur politik drejt Brukselit dhe mendoj se kjo rrugë duhet që të vazhdohet të ndiqet. Shqiptarët duhet të vazhdojnë të mbeten faktori konstruktiv pro perëndimor që e shtyn Maqedoninë drejt integrimit Euro-Atlantik.

A mendoni se protestat e VMRO-së janë shkaku i Lëvizjes BESA e cila i dha pretekst se deklarata shqiptare është nënshkruar në Tiranë?

Adri Nurellari:  Unë e kuptoj që në qendër të aksionit politik të Lëvizjes Besa ka qenë pikërisht sulmi ndaj BDI-së dhe ekziston frika se të gjitha këto qëndrime të ndezura ndaj BDI-së do veniten si pasojë e bashkëpunimit në kuadër të platformës ndër-partiake shqiptare. Është e kuptueshme që në zgjedhjet lokale që po afrojnë, Besa mund të mos marrë votat e zgjedhjeve të dhjetorit, sepse do e ketë të vështirë të kritikojë BDI-në ndërkohë që është ulur në tryeza me këtë parti. Këtu e shoh motivin kryesor të përpjekjeve për tu distancuar nga BDI-ja duke u përpjekur që platformën ta nxjerrin si produkt të Tiranës pavarësisht se kjo gjë çon ujë në mullirin e retorikës nacionaliste të VMRO-DPMNE-së dhe presidentit Ivanov. Platforma politike shqiptare në fjalë, nuk ka asnjë gjë të re,  është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Maqedonisë  dhe Marrëveshjen e Ohrit, është pjesë përbërëse e çdo programi politik të partive shqiptare të Maqedonisë e prandaj nuk shoh asnjë arsye tjetër përse një parti politike shqiptare të distancohet prej saj duke e trajtuar si vullnetit të kryeministrit Rama.

Unë e kam të vështirë të besoj në teori me nuanca konspirative që thonë se ata janë të kapur e veprojnë si instrumente të Gruevskit apo se ata marrin urdhra nga vende të botës lindore që i financojnë.  Unë thjesht mendoj se janë duke bërë përllogaritje elektorale të cilat iu dalin keq nëse elektorati i sheh afër BDI-së. Mirëpo mendoj se në kushtet kur po bllokohet ushtrimi I sovranitetit popullor, situata është e tillë në Maqedoni që rrezikon një eskalim të jashtëzakonshëm të situatës dhe rrëshqitje në konflikt civil, nuk ka vend për interesa apo kalkulime elektorale për interesa të ngushta partiake. Kjo situatë kërkon përgjegjësi të lartë politike për hir të interesave kombëtar dhe të stabilitetit të rajonit prandaj çdo gabim që bëhet për qëllime meskine imediate, ka për të pasur një kosto të madhe historike për këdo që i bën.

Sipas jush çka i duhet VMRO-së që të pranojë shumicën e re parlamentare dhe krijimin e një qeverie të re?

Adri Nurellari:  Rezultatet e zgjedhjeve të kaluara e kanë nxjerrë sërish VMRO-DPMNE-në fitimtare pavarësisht skandaleve të përgjimeve,  që kanë treguar haptazi se ata kanë kapur shtetin, kjo parti ka siguruar shumicën. Nga veprimet e presidentit Ivanov dhe protestat e ushqyera nga VMRO-DPMNE duket qartazi se kasta politike e vjetër është interesuar që një krizë të ligjit e demokracisë ta shndërrojë me çdo kusht në një krizë ndëretnike. Presidentin Ivanov nuk e pengonte platforma shqipare kur mandatar ishte Gruevski, mirëpo tani që partitë shqiptare zgjodhën LSDM-në përkundrejt partisë së tij për koalicion qeverisës, befas platforma shqiptare u bë çështje. Pra udhëheqësit e vjetër maqedonas po tregohen të gatshëm që të ndezin një konflikt etnik vetëm e vetëm që të qëndrojnë në pushtet. Sidoqoftë për të kuptuar dhe analizuar siç duhet kjo gjendje duhen bërë analiza krahasimore me vende të tjera që janë gjendur në situata të ngjashme të ndryshimit të regjimit sundues. Për të ruajtur stabilitetin e vendit dhe mbarë rajonit dhe duke qenë se mbështetja për klikën aktuale ngelet ende e lartë mes votuesve, një alternativë për një tranzicion të qetë mund të ishte skenari spanjoll i tranzicionit. Në rastin e Spanjës, pas shembjes së regjimit të Frankos, nuk pati fare drejtësi të tranzicionit, të gjitha palët vendosën ta mbyllin kapitullin e së kaluarës pa vënë para përgjegjësisë ligjore frankistët

Amerika Latine njihet se ka pasur junta ushtarake e diktatorë që kanë qeverisur me dimension autoritare të niveleve të ndryshme mirëpo pasi këto regjime janë rrëzuar forcat e reja që erdhën në pushtet u ballafaquan me mëdyshjen e madhe morale të zgjedhjes mes drejtësisë dhe stabilitetit. Pra regjimet e reja ndodheshin para dilemës së rëndë që në njërën anë kishte drejtësinë dhe hakmarrjen për shkeljet e abuzimet e bëra dhe në anën tjetër nevojën për stabilitet dhe kohezion social. Në shtete të ndryshme të Amerikës Latine si Kili, Brazil, Argjentinë, Bolivi, Paraguaj dhe Uruguaj, qeveritë që erdhën pas rrezimit të klikave autoritare që kishin kapur shtetin, zgjodhën që të mbyllnin kapitullin e së kaluarës, dhe të ndërtonin një kapitull të ri nga e para, pa u marrë me vënien para gjyqit të atyre që ishin përgjegjës për abuzimet e regjimeve pararendëse. Shpesh regjimi i ri me vetëdije ua ka lënë makinën apo avionin e arratisjes gjeneralëve të juntave në mënyrë që të shmangej gjakëderdhja që do vinte prej dëshpërimit e nevojës për mbijetesë.

Me pak fjalë kuptohet se humbja e pushtetit është gjë e rrezikshme për diktatorët sepse kur vjen ai  moment ata ballafaqohen me rrezikun e reprezaljeve nga të sapoardhurit. Prandaj historia tregon që një ndër gjërat që ndodh më se shpeshti me diktatorët është ekzili apo syrgjynosja diku jashtë vendit. Pra nëse nuk marrin garanci në vend për sigurinë e tyre ata thjeshtë arratisen dhe të tillë ka plotë si Markosi i Filipineve, Strosner i Uruguajit, Duvalier i Haitit , Mobutu i Zaires etj.   Faktikisht në epokën pas Luftës së Dytë Botërore rreth 20% të ish diktatorëve ose më saktë 98 syresh, janë larguar nga vendi në ekzil pasi kanë humbur pushtetin. Nga ana tjetër, nëse drejtuesit e regjimeve e kanë të vështirë që të gjejnë destinacione ekzili që ofrojnë mbrojtje të besueshme, ata kanë incentive që të mbajnë pushtetin me çdo kusht e kosto. I tillë është rasti i Muhamet Kadafit në Libi I cili i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve vendosi të luftonte me ç’të mundte deri në fund të jetës.

Në rastin tonë ngjashmëria qëndron në faktin se në kushtet e akuzave të rënda që iu qëndrojnë mbi krye, udhëheqësit e VMRO-DPMNE-së mund të jenë të gatshëm që të bëjnë çfarëdo akti ekstrem, qoftë edhe çuarja e vendit drejt një përplasje ndër-etnike, vetëm e vetëm për të siguruar mbijetesën e tyre. Siç treguan votat, me vete ata kanë mbështetjen e një pjesë të mirë të popullit. Po ashtu kontrollojnë një pjesë të mirë të aparatit të sigurisë dhe deklarata kërcënuese e Ivanovit në 10 mars ku i bënte thirrje rolit të ushtrisë, nuk është aspak rastësi. Me pak fjalë është shumë e vështirë që të vij në pushtet Zevi po qe se pushtetin nuk e lëshon Gruevski. Madje dhe nëse ia del ta formojë qeverinë pa mandatimin e presidentit, me kaq mbështetje sa ende ka VMRO-DPMNE, vështirë se do të ketë stabilitet qeveria e re e rotacionit. Kjo do të thotë që për hir të stabilitetit mund të ishte e arsyeshme që klikës së vjetër t’i jepen garanci amnistie se nuk do t’iu ndodh gjë pas rotacionit nëse tërhiqen nga politika. Po ashtu në të njëjtën frymë mund të ishte e arsyeshme që t’iu jepeshin oferta strehimi për ndonjë ekzil eventual pas rotacionit.  Për hir të së vërtetës një veprim i tillë nuk është i drejtë dhe i këndshëm por mund të konsiderohet një e keqe e vogël për t’u gëlltitur përpara një të keqe të madhe që kërcënon rëndë, sikurse është konflikti civil potencial.

A mendoni se votuesit shqiptar të LSDM-së do të kthehen sërish tek partitë shqiptare?

Adri Nurellari:  Sjellja e votuesit të LSDM-së duhet parë në mënyrë konjukturale pra lidhur ngushtë me situatën aktuale politike dhe krizën disa vjeçare që ka pllakosur në Maqedoni. Ato dhjetëra mijëra vota shqiptare që shkuan tek LSDM mund të shihen qartazi si një votë kundër VMRO-DPMNE-së në kushtet kur këtë parti nuk mund dot ta rrëzonte nga pushteti asnjë parti shqiptare. Ky është rasti klasik i një vote strategjike inteligjente e një pjese të votuesit shqiptar që e dinte se e vetmja mënyrë për të rrëzuar klikën ekzistuese politike ishte duke votuar LSDM-në.  Në zgjedhjet pararendëse të vitit 2014 shqiptarët siguruan plot 28 mandate parlamentare, si rrallëherë më parë, e prapëseprapë kërkesat e shqiptarëve ngelen peng të vullnetit të Gruevskit.  Po ashtu kjo ishte edhe njëherazi një votë proteste ndaj partive shqiptare të cilat shikohen nga votuesi shqiptar gjithmonë e më shumë si njësoj me njëra tjetrën dhe të implikuara në afera korruptive. Nëse partitë shqiptare nxjerrin mësim nga pësimi, reflektojnë dhe ripërtërijnë kuadrot politik me figura të reja të pakomprometuara unë mendoj se votuesi shqiptar ka për t’iu rikthyer.

Unë mendoj se në Maqedoni jemi ende larg partive ndër-etnike apo sjelljes elektorale që kapërcen ndarjen etnike. Që kjo gjë të ndodh në mënyrë të rregullt do të duhej që shqiptarët të kishin arritur të gjitha aspiratat e tyre duke marrë pozicionin që iu takon në strukturën shtetërore dhe jetën ekonomike. Madje edhe atëherë kur te arrihen këto standarde, prapëseprapë ndarja etnike ka për të qenë e thellë sikurse është rasti i një vendi të avancuar si Belgjika ku partitë janë të ndara në bazë të përkatësisë etnike. Ky  vend ngjan më së shumti me Maqedoninë sepse  grupi i dytë etnik valonët apo frëngjisht-folësit përbëjnë diku tek 31% të popullsisë, pra afërsisht sa shqiptarët në Maqedoni.