Thaçi në klasën e parë si president
Hashim Thaçi padyshim tashmë është njëri nga politikanët më të sprovuar shqiptarë. Kjo dëshmohet tash pasi mori timonin e dialogut në duar: qëndrimi i BE-së ka ndryshuar radikalisht në favor të Kosovës e në disfavor të aspiratave serbe.
Opinion
Respektivisht qëndrimi evropian ka humbur tashmë atë ambivalencën tepër të dëmshme për Kosovën.
Ajo është bërë shumë më aktive në shumë drejtime dhe është më kategorike për ta ruajtur dhe përparuar shtetin e Kosovës.
Pastaj ikja e Thaçit në Uashington pas zgjedhjes së Trump-it rivitalizoi kanale të moçme në raport me administratën e re, lidhje të cilat ishin në rrezik të degjenorojnë edhe për shkak të simpatisë adoleshente të qeverive shqiptare gjatë zgjedhjeve.
Me aksionet e pajtimit, përuljes edhe para varreve të gabuara krijon irritime brenda, mirëpo u bën shumë dëme dhe presion të paramenduar serbëve.
Pra sa i përket efektit të tij në kuadër të reprezentimit dhe avancimit të shtetit ndërkombëtarisht, aktualisht bën punë pesëyjëshe.
Brenda mirëpo është një makiavelist i ashpër. Një miku im në Prishtinë njëherë tha: “Nëse donë të jesh kundërshtar kategorik i Thaçit duhet të mos lejosh të takosh personalisht se të helmon”. Kjo flet për një karizmë dhe zgjuarsi të madhe të tij.
Gjë që e ka dëshmuar edhe me lajthitjen edhe të atyre që mbahen intelektual e që sot e kësaj dite vuajnë nga plagët e shkruajnë libra kundër tij se i ka instrumentalizuar dikur keq. Kjo nuk shkon për një president ngase nuk je figurë e unitetit. Pra ai është shumë i zgjuar dhe i regjur, por jo edhe korrekt ngase për të arritur synimet e tij “ec edhe mbi kufoma”, siç thuhet në formë paushalizuese.
Tejkalon shpesh kompetencat dhe humb neutralitetin karshi partive dhe interesave të shtetit (demarkacioni, asociacioni, etj.), opsioneve politike.
Nuk është përfaqësues, instancë që jep votën e tij brenda shumë çështjeve thelbësore që kanë të bëjnë me ruajtjen e koherencës, sigurisë dhe stabilitetit të shoqërisë, ta zëmë kur bëhet fjalë për identitetin kulturor, atë të shtetit, raportet me këtë apo atë bllok, por tenton të “ushqehet” nga të gjitha grupet e interesit për të ruajtur pozitën.
Bilanci i punës së deritashme si president: jashtë shkëlqyeshëm, për brenda ka nevojë për korrigjime të mëdha se kështu ndërton Kosovën jashtë por dëmton atë tepër brenda.