Vazhdon shpërndarja e pakove me veshmbathje edhe në Gjakovë

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me Shoqatën Humanitare Bëmirëse të Kosovës “Nënë Tereza”, kanë vazhduar edhe sot aksionin për shpërndarjen e pakove me veshmbathje për familjet në asistencë sociale.

Lajme

17/01/2017 21:05

“Deri tani kanë përfituar mbi 1300 familje në disa komuna të Kosovës dhe ky aksion do të vazhdojë edhe ditëve në vijim. Sipas kritereve të përcaktuara nga Departamenti i Politikave Sociale dhe Familjes, përfitues të këtyre ndihmave janë familjet në kategorinë: prindër vetëushqyes, familjet në varfëri ekstreme, familjet me shumë anëtarë, si dhe familjet e komuniteteve RAE. Ndërkaq përzgjedhja e familjeve është bërë nga Qendrat për Punë Sociale nëpër komuna”, thuhet në njoftim.

Përfituesit e këtyre ndihmave janë shprehur të kënaqur me ndihmat e shpërndara, të cilat sado modeste që janë, do të zbusin nevojat e këtyre familjeve në gjendje të rëndë sociale.

Zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë deklaruar se shpërndarja e pakove do të vazhdojë dhe nga ky aksion do të përfitojnë të gjitha ato familje me gjendje të rëndë sociale edhe në komunat më të skajshme të Kosovës.