Çështja e Haradinajt në procedura ligjore, pritet përmbyllja e tyre
Një anëtar i kryesisë dhe njëkohësisht zëdhënës i AAK-së, Muharrem Nitaj, i tha Radios Evropa e Lirë se pritet që “Haradinaj të dalë [të enjten] përpara organeve të drejtësisë në Francë”
Lajme
Një burim i gjyqësisë në Francë i tha agjencisë së lajmeve Reuters se hetuesit, të enjten, do të fillojnë shqyrtimin nëse kishte arsye që të mos zbatohej kërkesa për ekstradim, posaçërisht nëse ajo është lëshuar për qëllime politike.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ndalua të mërkurën nga policia franceze në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga policia e Serbisë.
Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj, i tha Radios Evropa e Lirë se “komunikimi me autoritetet franceze gjatë ditës është intensifikuar” dhe se kjo është tani “çështje ligjore”.
“Tani është çështje e procedurave ligjore dhe përmbylljes së tyre”, tha Murtezaj.
Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi i tha Radios Evropa e Lirë se Haradinaj është ndaluar në aeroportin e Bazelit në pjesën franceze..
“Atë që ne e dimë është se ai është ndaluar nga autoritetet franceze dhe është në pritje”, tha Arifi.