Mediet e huaja shkruajnë për arrestimin e Ramush Haradinajt

Gjatë mbrëmjes së kaluar, policia franceze ka arrestuar kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Bota

05/01/2017 09:33

Ministria e jashtme e Kosovës tha në një deklaratë se ai është arrestuar në bazë të urdhërarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 e i cili është i papranueshëm, ndërkaq ndodhet ende në një burg në Francë, transmeton lajmi.net.

Sot, Haradinaj pritet të paraqitet para zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Gjykatës së Apelit në Colmar.

Ndërkaq, për arrestimin e Ramush Haradinajt kanë shkruar edhe mediet ndërkombëtare si; The Guardian, Reuters dhe BBC.

“Serbia e konsideron Haradinaj kriminel lufte për rolin e tij në krye të një kryengritje guerile, gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 në ish krahinën jugore të Kosovës. Në vitin 2008, Kosova ka shpallur pavarësinë me mbështetjen perëndimore”, shkruan The Guardian.

Ndër të tjera The Guardian shkruan edhe për arrestimin e Haradinaj në vitin 2015.

“Në qershor të vitit 2015 Haradinaj u arrestua nga policia sllovene, por ishte liruar pas dy ditësh pas presionit diplomatik”.

Edhe BBC, ka shkruar se Haradinaj është përballur dy herë me akuza për krime lufte në OKB, megjithatë është liruar.

Me titull “Ish-kryeminstri i Kosovës është arrestuar në Francë me urdhër të Serbisë”, ka shkruar edhe Reuters.

Një burim francez gjyqësor ka thënë se hetimi do të fillojë të enjten për të parë nëse ka arsye për të mos ekzekutuar një kërkesë ekstradimi, sidomos në rast se ajo është lëshuar për arsye politike.

Kosova dhe Franca gëzojnë marrëdhënie të mira diplomatike e Parisi mbetet një nga mbështetësit më të mëdhenj të shtetit më të ri evropian. /Lajmi.net/