Këtu ku vdekja troket çdo ditë!
“Kafshatë që s’kapërdihet asht or vlla mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt dhe të zë trishtimi”. Me këto dy vargje, para shumë se 75 vjetësh, e nis “Poemën e mjerimit” Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni, por që e njëjta varfëri dhe i njëjti mjerim, siç përshkruhet në këtë poemë, të na përcjellë edhe në këtë shekull, askujt nuk do t’i shkonte ndërmend.
Lajme
Jo në ndonjë vend të largët të Kosovës, por në kryeqytet, siç jetojnë shumë familje në varfëri ekstreme, jeton edhe familja e Makfire Selmanit, e cila përpiqet që çdo e nesërme të jetë më e mirë për fëmijët e saj.
Ajo së bashku me katër fëmijët e saj dhe burrin, i cili ka një mori sëmundjesh dhe është i paaftë për punë, që 25 vjet jetojnë në një barakë, e cila veç sa s’është shembur nga vjetërsia. Në këtë barakë, e ndërtuar me pak beton e shumë dërrasa të thyera e të kalbura, e cila ndodhet pranë shkollës “Ismajl Qemajli” në Breg të Diellit në Prishtinë, ajri i ndotur i qytetit, muret e mykura dhe të lagura, ta ngufasin frymën dhe ta drithërojnë trupin.
Familja e zonjës Makfire i merr vetëm 80 euro në muaj si ndihmë sociale, me të cilat nuk arrin t’i sigurojë as ilaçet për burrin e saj dhe të birin. Makfirja, e cila thotë se është vetë burrë e vet grua, së bashku me anëtarët e familjes jetojnë në këto kushte skajshmërisht të rënda ekonomike dhe sociale. Fëmijët e saj janë të moshës minore. Djali i saj i madh është 15-vjeçar dhe vuan nga sëmundja e miopisë (shkurtpamësisë). Nëse kjo sëmundje nuk trajtohet dhe shërohet me kohë, ai rrezikon të verbërohet përgjithmonë.
Shërimi i syve të të birit dhe një kulm mbi kokë janë ëndrrat e vetme të Makfires, e cila kërkon t’i realizohen. Skamja dhe sëmundjet e familjes te Makiferja kanë bërë që pesimizmi i saj të jetë “qelizor”. Ajo thotë se vite me radhë ka kërkuar ndihmë dhe s’ka lënë derë institucionale pa trokitur për ta siguruar një kulm mirëpo, fatkeqësisht, lutjet e saj ende s’janë dëgjuar. E tërë kjo skamje prej 25 vjetësh, ka bërë që Makfirja ta humbë besimin tek institucionet vendore dhe e vetmja shpresë për të ka mbetur drejtësia e Zotit, ndihma e popullit dhe ajo e estradës shqiptare.
Ajo ka deklaruar se që dy vjet në komunën e Prishtinës ka bërë kërkesë t’i ndahet një vend sa për ta ndërtuar një shtëpi mirëpo, sipas saj, kërkesat e saj asnjëherë s’janë shqyrtuar. Madje ajo thotë se as në barakë më s’është e sigurt, pasi komuna e Prishtinës ia ka dërguar njoftimin për pagim të tatimit mbi pronë. “I lutem Medës, Labinot Tahirit dhe popullit, që të më ndihmojnë që ta kem një kulm mbi kokë për fëmijët e mi, sepse për mua më asgjë s’ka kuptim dhe çdo gjë e ka pasur. E lus Labin, pasi kam dëgjuar se ai e ka dërguar për shërim një fëmijë në karrocë, që të ma mundësojë edhe mua ta shëroj djalin tim, pasi kam frikë se do të qorrohet dhe s’mund më as në shkollë të shkojë. Po tutna mos po jetë pa shkollë, se edhe ashtu s’i ka notat e mira. Zoti i ndihmoftë atij që më ndihmon! E ai që s’ka, Zoti ia dhëntë! E lus popullin të më ndihmojë për këta fëmijë, sepse vetë jam burrë e vet grua. Edhe unë i kam mbi 100 sëmundje. Para xhamisë më është dashur të dal e ta shtrij dorën. Ne me një social jetojmë. Tek unë është vetëm drejtësia e Zotit. Unë kam kërkuar ndihmë çdo kund. As këtu në barakë më s’jam e sigurt, sepse komuna po më obligon ta paguaj tatimin në pronë”, ka deklaruar Makfirja për gazetën “Epoka e re”.
Ajo ka thënë se lutjen për ndihmë e bën hatri i fëmijëve. “Po u lutem të gjithëve të më ndihmojnë hatri i këtyre fëmijëve, se për vete s’e kam dert. Boll burri dhe unë kemi hequr rrugëve e mos të mbesin edhe këta kurrkund hiç. Çdo dimër që 25 vjet bëj kështu jetë për gazepi. Populli më ka premtuar se do të më ndihmojnë, por s’po kam vend ku ta ndërtoj një kulm mbi kokë”, ka treguar ajo.
Selmani e ka kujtuar edhe kohën e luftës, kur ajo s’kishte pranuar ta lëshonte Kosovën. “Nuk kam dashtë ta lëshoj Kosovën veç mos t’ua plotësoj dëshirën serbëve, sepse dihet se serbët kanë dashtë që ne të ikim. Para luftës kemi qenë në këtë barakë, në luftë qëndruam në mal, ndërsa edhe pas luftës mbetem po në këtë barakë. Unë s’po mund të punoj askund, sepse as ata me shkollë s’po i marrin në punë e lëre mua. Për mua më gëzim nuk ka”, ka deklaruar ajo.
“Poema e mjerimit” e Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni, e cila mbyllet me strofën: “Mjerimi asht një njollë e pashlyere /në ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj. / Dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme/ ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj”, nuk duhet të jetë dedikim për shumë familje, sepse ato me pak përkujdesje të shoqërisë dhe shtetit mund të jetojnë më mirë.