PDK akuzon qeverisjen në Malishevë për përmbytjet
Dega e PDK-së në Malishevë, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se qytetarët e kësaj komune janë të rrezikuar nga përmbytjet pasi qeverisja lokale nuk e hap digën e Liqenit të Mirushës.
Lajme
Qytetarët e komunës së Malishevës këto ditë u përballen me mot të vështirë. Zyrtarët komunalë ishin vetëm vëzhgues të situatës dhe asgjë më tepër. Për më keq ata edhe i kontribuuan grumbullimit të ujit te liqeni në Mirushë. Kështu thotë PDK-ja në Malishevë.
Sipas komunikatës, kjo ka ndodhë për faktin se Komuna e Malishevës është dashur ta hapin digë, lirimin e ujit, paraprakisht dhe të mbajnë në kuota të ulëta nivelin e ujit në liqen, por sipas PDK’së, Komuna as edhe gjatë vërshimeve nuk e kanë hapur gypin e shkarkimit të ujërave.
“Kjo ka bërë që të rrezikohen fshatrat nga shpërthimi i digës, kur dihet se digën e patën dëmtuar vet zyrtarët e komunës pranverën e kaluar, duke e hapur me forcë”, shkruan në komunikatë.
PDK akuzon komunën për shumën që Qeveria i kishte dhënë për këtë çështje, shumë prej 50 mijë euro, por që qeverisja komunale nuk i shpenzoi ato për riparimin e digës, por për qëllime të tjera.
“Po ashtu grumbullimi i ujit në hyrje të Malishevës nga Banja është krijuar artificialisht nga ndërtuesit pa leje ndërtimi dhe mbulimi i gypave të kullimit që janë vendosur aty vite më parë. Kjo e ka rënduar situatën pas shirave të shumta në Malishevë. Komuna ka kontribuar që të kemi një situatë emergjente në Malishevë”, thotë komunikata.