Të jetosh në shtëpinë gërmadhë

Familja Jashari, që banon jo larg kryeqendrës, jeton në kushte të mjerueshme. Jeta nën erën e mykut, kanalizimit, mbeturinave nuk i ngjasonte aspak një jete njerëzish. Për më shumë, familja pesë anëtarëshe janë të rrezikuar edhe nga shembja e mureve të shtëpisë që ngjasojnë me mure të një gërmadhe të braktisur.

Lajme

19/08/2016 23:46

“Po kështu nuk jetohet”, tha nëna e tre fëmijëve Valbona Jashari.

Ajo thotë se këto ditë, kur të reshurat e shiut nuk kanë munguar, shtëpia është vërshuar nga uji, i cili ka depërtuar brenda dhomave.

“Po e shihni, shtëpia më është vërshuar nga uji dhe kanalizimi, lagështia dhe era po na zë frymën, fëmijët po qajnë, sepse kanë frikë se do të përmbytemi nga uji, por edhe era e kanalizimit që ka shpërthyer po na zë frymën”, u shpreh ajo, duke shtuar se jeta i është mërzitur duke jetuar në këtë mënyrë.

Rreziku nga lagështia dhe myku Valbona ka shtuar se uji, i cili ka depërtuar brenda nuk e ka kursyer as orën e energjisë elektrike, e cila ishte mbuluar nga lagështia dhe myku.

“Kësaj të fundit po i frikohemi edhe më shumë, sepse mund të na digjet shtëpia, ta kapë rryma”, tha ajo, duke ia qarë hallin të tre fëmijëve.

Në anën tjetër, kjo zonjë shtëpie është ankuar për mënyrën e jetesës që po bën ajo së bashku edhe me familjen e saj. Ajo thekson se që 15 vjet jeton në një shtëpi romi të braktisur dhe shpesh janë kërcënuar për ta lëshuar atë.

“Jemi vendosur këtu që 15 vjet. Jeta këtu është si në ferr. Jemi duke bërë një jetë si mos më keq. Shtëpia po shihet më shumë po i ngjan një objekti të pabanueshëm se sa një shtëpisë ku mund të jetojnë njerëzit. Vërtet nuk po ia dilet kështu. Jeta më është bërë e rëndë për t’u jetuar. Po më dhimbsen fëmijët, të cilët po rriten në këto kushte. Shpesh më duhet ta vizitoj mjekun, nga kushtet e rënda që ata po jetojnë”, ka thënë ajo.

Nuk kanë as shporet për të gatuar Fjalët e kësaj gruaje sigurisht se do të ishin të pakta për të përshkruar mjerimin e kësaj kohe. Gjithkah shihej zbrazëtira. Disa mobilie ishin të falura dhe pothuajse të gjitha të demoluara.

Familja nuk kishin as shporet ku të përgatiteshin ushqimin. Por, as edhe një gjë tjetër me vlerë. Të gjitha ishin të stërvjetruara. Shtëpi pa shtrojë e pa mbulojë, pa kushte për jetë njerëzimi. Për më shumë, shkallet për t’u ngjitur në katin e dytë, aty ku jetonin kjo familje, ishin të tmerrshme. Ky ishte edhe një problem për nënën e tre fëmijëve Valbonën, e cila thotë se gjithherë është në presion se do t’i rrëzohen fëmijët.

“Kur dal diku, i mbylli fëmijët në dhoma, sepse këtu është shumë keq, gjithkah të shfaqet rreziku. Shkallet janë të mbyllura nga myku, lagështia dhe uji. Janë pa mbajtëse dhe gjithandej është rrezik për t’u rrezuar fëmijët”, shpjegoi ajo. Ndërkohë, një banjë e improvizuar dhe një dhomë e vetme janë dy vendet ku bëjnë jetë kjo familje, ani pse shtëpia nuk ishte e vogël. “Kur kemi ardhur në këtë shtëpi, nuk kemi gjetur dyer, e as dritare. E gjitha ka qenë e zbrazur. Kemi arritur të rregullojmë vetëm një dhomë, dhe një banjë, e cila edhe sot e kësaj dite ka mbetur pa derë”, tha ajo.

Frikë nga dimri i ftohtë E trishtuar nga jeta, kjo grua theksoi se ka hallin se do ta zërë edhe ky dimër në këtë gjendje. “Kam hallin se do të më zë dimri. Jemi pa dru, pa ushqim dhe me këtë shtëpi, e cila për çdo ditë paraqet rrezik për ne. Vërtet është vështirë për prind të zbardhin dhe të mbyllin ditën në këtë gjendje”, tha ajo, e zhgënjyer nga realiteti.

Jashari ka njoftuar se kanë kërkuar ndihmë institucionale, por që deri më tani askush nuk u ka dalë në ndihmë.”Nuk po mërziten për neve. Askush nuk po na del në ndihmë”, tha ajo.

E derisa ishim në vizitë të kësaj familjeje, pamë se familja po ballafaqoheshin me mungesë të gjithçkaje, të miellit dhe gjerave më elementare për jetë. Kurse kur viti i ri shkollor po afrohet, nëna e tre fëmijëve, Valbona, po ankohej se nuk ka kushte për shkollimin e dy fëmijëve.

“Po librat po i marrin pa pare, po nuk kam pare për t’u dhënë për shkollë, nuk kam mundësi t’u blej çanta, fletore e mbi të gjitha tesha. Tani fëmijët po lakmojnë për gjithçka”, tha ajo me lot ndër faqe. Por, kërkesa të ngjashme pati edhe vajza e madhe në këtë familje. “Kam dëshirë të kem një shtëpi më të mirë dhe kushte sikurse shoqet e mia”, tha ajo, shkruan Kosova Sot.

Të gjithë ata të cilët duan ta ndihmojnë këtë familje, këtë mund ta bëjnë në numrin e telefonit direkt të familjes që është 045- 881- 248