Konfirmohet: Xhemshit Krasniqi dënohet me 8 vjet burg për krime të luftës
Pas disa viteve të arratisë dhe fshehjes, Policia e Kosovës e kishte arrestuar atë vitin e kaluar në Prizren.

Lajme
(I plotësuar) – Ashtu siç raportoi më herët lajmi.net, sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtar e shpalli fajtor të akuzuarin Xhemshit Krasniqin për kryerjen e veprës penale “Krime të luftës kundër popullsisë civile” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në një njoftim për media thuhet se i pandehuri u shpall fajtor për arrestimin, ndalimin e paligjshëm, cenimin e integritetit trupor, të shëndetit dhe torturimin disa dëshmitarëve dhe civilëve të panjohur në kampet e UÇK-së në Kukës dhe Cahan (Shqipëri), si edhe në Prizren gjatë vitit 1999. I akuzuari i kreu veprat e tij në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së.
I pandehuri Xhemshit Krasniqi u dënua me dënim të përgjithshëm prej 8 vjet burgim dhe me një gjobë prej 1500 eurove. Me anë të një vendimi të veçantë, atij i është vazhduar paraburgimi deri sa ky aktgjykim ta merr formën e prerë.
Xhemshit Krasniqi dënohet me 8 vjet burg
Sot në Gjykatën Themelore është marrë vendim për ish ushtarin e UÇK-së, Xhemshit Krasniqin, i akuzuar për krime lufte.
Lajmi.net mëson se Krasniqi është dënuar me 8 vjet burg.
Pas disa viteve të arratisë dhe fshehjes, Policia e Kosovës e kishte arrestuar atë vitin e kaluar në Prizren, Xhemshit Krasniqin.
Operacioni i madh ishte kryer nga Policia e EULEX-it dhe Njësia Speciale e Kosovës. Njësia Speciale e kishte zënë Krasniqin në vendin ku ai dhe familjarët e tij po kryenin punë bujqësore.
Krasniqi, për shumë vite në arrati, do të duhej të ishte pjesë e procesit kundër Sabit Gecit. Sabit Geci akuzohej se në mes të prillit dhe qershorit të 1999, në një bazë ushtarake të UÇK-së të vendosur në Kukës, në mënyrë individuale dhe në bashkëveprim me të tjerët duke përfshirë Xhemshit Krasniqin i ka shkelur rregullat e ligjit ndërkombëtar në kohën e luftës, konfliktit të armatosur ose okupimit dhe me këtë ka kryer veprën penale krime të luftës kundër popullsisë civile. /Lajmi.net/