Ja kush ka faj për pasojat e ekstremizmit fetar, sipas Xhabir Hamitit

Profesori në Fakultetin e Studimeve Islame, Xhabir Hamit, në një shkrim të tij ka reaguar sërish për keqinterpretimet fetare që po bëhen në Kosovë.

Lajme

04/08/2016 18:31

Përmes shkrimit të tij, ai fajëson çdo person që lejoi të bëhen keqkuptimet e tilla, që janë të dëmshme jo vetëm për fenë po edhe për shqiptarët si komb. Dhe, ç’është më e keqja, kur pasojat vijnë nga këto keqinterpretime, askush nuk po merr përgjegjësi. Shkrimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Vajtimi i ekstremizmit fetar në Kosovë

Shoqëria e jo, në vend që të merret me çështje të rëndësishme jetike dhe madhore të saj, ajo sot po detyrohet që të merret me fenomenin ekstremizmit të dhunshëm fetar, i cili sigurisht se më së paku do duhej të ishte pjesë e agjendës së saj ditore!.

Gazetarë dhe analistë të ndryshëm, përfshirë edhe ata të përmasave botërore, së fundi u morën me neve, duke na paraqitur e portretizuar si shoqëri dhe vend të pëlleshëm, i cili po bënë vaditjen dhe rritjen e ekstremistëve të dhunshëm fetar!.

Një gabim i pafalshëm për neve?

Është shumë e papranueshme që ne sot të përzgjidhemi në disa nga mediat botërore si një vend dhe shoqëri e cila kultivon ekstremizmin fetar dhe që prodhon terrorist potencial! Mendoj se një cilësim kaq gjeneral është i tepruar. Vogëlsia dhe pafuqia e jonë si vend i vogël dhe në konsolidimi e sipër nuk duhet të shërbejë si target për agjenda globale.

Ndërsa,a në anën tjetër, çdo njëri i cili ka pasur përgjegjësi publike në këtë vend , sidomos që nga paslufta e deri më sot, duhet të ndihet përgjegjës dhe i turpëruar për neglizhencën dhe mos reagimin në kohë.

Në fakt, ajo që duhet të thuhet është se elementet e ngjyrosura me ekstremizëm në emër të fesë, në përgjithësi, erdhën tek ne gjatë dy dekadave të fundit. Më herët ato nuk ishin në mesin tonë. I sollën të tjerët në kohën me të ligë kur ne ende gjëmonim nga plagët e luftës shkatërrimtare.

Por, a i ndihmuam edhe ne sadopak zgjerimit të një interpretimi dhe predikimi të ngurtë në emër të fesë pas luftës në vendin tonë?

Përgjigjja është: Po i ndihmuam!

A ishim të vetëdijshëm për pasojat e mëvonshme që mund t`i kemi, kur vet toleruam mendimin fetar rigid të shtyrë nga agjenda politike të jashtme që të zë vend në shoqërinë tonë?.

Edhe për këtë përgjigjja është negative: Nuk ishim sa duhej të ishim!

Ne gjithashtu nuk arritëm as të mbyllim derën për predikuesit e jashtëm dhe as të atyre të brendshëm, të cilët në Kosovën e pasluftës mendonin se Zotin e kanë më afër se të gjithë të tjerët, dhe se vetëm ata janë të thirrur që të flasin në emër të Tij.

Gjithashtu nuk e patëm as kapacitet teknik dhe logjistikë për të ndaluar propagandën e dhunshme në emër të fesë, të zhvilluar përmes mjeteve kibernetike, mirëpo për këtë sigurisht nuk jemi fajtor.

Por, cila është forma e parandalimit të mëtutjeshëm të një fenomeni të tillë?

Aq sa po shihet deri më sot, ende nuk ka ndonjë hap konkret në parandalimin e ideologjisë fetare e cila qonë në ekstremizëm dhe radikalizëm të dhunshëm.

Sipas të dhënave të sakta, çdo vit nga Kosova mbi 40-50 studentë regjistrohen në universitete të ndryshme të botës, të cilat shumica e tyre me përjashtime të vogla janë të njohura për interpretimin dogmatikë dhe të verbër të fesë.

Nëse këta studentë mbesin vetëm brenda domenit të universiteteve dhe të kurrikulave të tyre, çalimi dhe mangësia e tyre në raport me ambientin dhe rrethin tonë do të mbesin permanente.

Kthimi i tyre në vitet në vijim si dhe inkuadrimi i tyre në faltoret tona pa ndonjë parapërgatitje institucionale vendore, vetëm sa do ta rrisë problemin interpretimit të verbër të fesë, i cili pa asnjë dyshim se do të shtojë hutinë si dhe do jetë shkaktarë i luhatjes së tolerancës konfesionale, ndërkonfesionale dhe transkonfesionale.

Ne sot kemi aq shumë kuadro fetare vendore që më herët nuk i kishim, sa që fare nuk kemi nevojë të ikim jashtë vendit për të studiuar mësimet fetare.

Mjafton të përforcohen kriterët në institucionet tona edukative fetare dhe nga to të nxirren kuadro të mjaftueshme për vendin dhe ambientin në të cilin jetojmë.

Vajtimi është vesë i njeriut të dobët, jo vigjilent dhe jo vizionar për të ardhmen e tij.

Preventiva e sëmundjes është shumë më e lehtë sesa shërimi i saj.

Predikimet fetare të cilat nuk i kontribuojnë të mirës së individit, vendit tonë dhe shoqërisë në përgjithësi, nuk duhet duhet toleruar që të jenë pjesë e jona”, ka thënë Hamiti.