Aziz Salihu, lajm i keq nga Turqia

Gjendja shëndetësore e Aziz Salihut vazhdon të mbetet jostabile. Legjenda e boksit tash e 10 ditë gjendet në Stamboll të Turqisë, ku ishte transportuar pas dy muajsh qëndrimi në QKUK.

Sport

04/08/2016 15:56

Miku i tij, Pajazit Alimaj, tregon për “Zërin” se “Zizi” pritet të operohet në ditët në vazhdim pasi ka probleme në pankreas.

“Qe dy vjet e këndej, gjendja e tij është përkeqësuar. E kanë dërguar para disa ditësh në Turqi, pasi gjendja e tij në Kosovë nuk po përmirësohej. Në Turqi gjenden edhe vajzat e tij, Monika e Morea”, tregon Alimaj, i cili është trajner i klubit të boksit Prishtina.

“Azizi ka probleme me pankreas dhe pritet të operohet shumë shpejtë. Sa ka qëndruar në Prishtinë, ai i ka humbur 50 kilogramë, ndërsa në 10 ditët e fundit ka humbur ende peshë”, shton Alimaj, i cili është shoku më i afërt i Salihut qe 15 vjet, pasi kanë qëndruar non-stop së bashku.

Ndër të tjera, Pajaziti thotë se legjenda e boksit meriton mbështetje dhe përkrahje më të madhe, për atë që i ka dhënë sportit shqiptar në përgjithësi gjatë karrierës së tij.

“Azizi ka nevojë për ndihmë. Ai është sportist i shekullit, i vetmi që ka fituar medalje olimpike. Nuk po interesohet askush për ta ndihmuar, e kanë lënë anash. Tash, më shumë se kurrë më parë, ai ka nevojë për ndihmë”, përfundoi Alimaj.