Haradinaj: Kundërshtimi i vendimeve të dëmshme, po ia shton anëtarët AAK-së

Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka falënderuar anëtarët dhe simpatizantët e partisë së tij, për punën e bërë muajt e fundit. Ai po konsideron se AAK-së i janë shtuar anëtarët, ndërkaq ka deklaruar se do të vazhdojë të kundërshtoj dy vendimet që sipas tij janë të dëmshme për shtetin, Demarkacionin dhe Asociacionin e komunave serbe.

Lajme

25/07/2016 17:14

Ramush Haradinaj ka thënë se nga vizitat gjatë muajve të fundit nëpër 381 nëndegët e partisë së tij, del se shtrirja organizative është rritur duke bërë kështu që AAK-ja të ketë mbi 2500 anëtarësime të reja, transmeton lajmi.net

Sipas Haradinajt, anëtarësimet e reja kanë ardhur si pasojë e “shkëputjes totale të institucioneve qeverisëse nga problemet dhe temat me të cilat përballet popullata”.

Ai ka shtuar se AAK-ja do të jetë konsistente në kundërshtimet e saj ndaj vendimeve në dëm të shtetit, duke aluduar në Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave serbe.

“Konsistenca e AAK-së, jo vetëm në kundërshtimin e dy temave me pasoja të rënda për vendin, por edhe në vendosmërinë dhe kursin e saj të vendosur për zhvillimin dhe forcimin e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj. /lajmi.net

Postimi i plotë i kreut të AAK-së:

Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të AAK-së,

Jam i mrekulluar me një punë të shkëlqyer që është bërë në disa muajt e fundit në AAK.

Strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, janë në fazën përfundimtare të procesit e analizës brenda organizatës politike. Në muajn e fundit, ekipet përfaqëuese të të gjitha strukturave të AAK-së, kanë vizituar 381 nëndegë, ndërkohë që procesi do të vazhdojë edhe për 300 nëndegë të tjera.

Nga të gjeturat e ekipeve të ngarkuara, del se AAK, krahasuar me periudhën e para zgjedhjve të fundit, ka një shtrirje organizative në rritje, si dhe një konsolidim të organizatës politike në nivelet më themelore të saj dhe në të gjitha pjesët e Kosovës.

Nga nëndegët e vizituara, rreth 100 prej tyre, tashmë kanë aplikuar sistemin e riorganizimit të plotë, duke përfshirë edhe udhëheqjet e tyre. Një vëmëndje më e sforcuar i është kushtuar pjesëve ku AAK-ja nuk ka pasur rezultate të kënaqshme në periudhën e shkuar.

Gjatë këtij procesi, janë evdiencuar edhe mbi 2500 anëtarësime të reja, që i kanë dhënë një fuqi tjetër AAK-së. Ndër arsyet e aderimeve të reja, janë përmendur shkëputja totale e institucioneve qeverisëse nga problemet dhe temat me të cilat përballet popullata, por edhe konsistenca e AAK-së, jo vetëm në kundërshtimin e dy temave me pasoja të rënda për vendin, por edhe në vendosmërinë dhe kursin e saj të vendosur për zhvillimin dhe forcimin e Kosovës.

Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së