Siriani vetëvrasës në Ansbach, kishte tentuar edhe dy herë të vritej

Lidhur me sulmin vetëvrasës që ndodhi gjatë natës në Ansbach të Gjermanisë, ku një sirian hodhi vetën në erë në afërsi të një vendi ku po mbahej një festival në ambient të hapur, e nga i cili janë plagosur rëndë edhe tre persona, ministri i Punëve të Brendshme në Landit të Bavarisë, Joachim Herrmann, deklaroi se i dyshuari ka hyrë në Gjermani para dy vjetësh.

Bota

25/07/2016 08:46

Përveç kësaj, ministri i landit bavarez tha se këtij personi i është refuzuar kërkesa për azil para një viti, transmeton lajmi.net.

Atij i është dhënë leje e përkohshme qëndrimi, duke marrë për bazë situatën në vendin e tij, duke iu dhënë një vend për banim në Ansbach.

Ministri deklaroi se ishte “shumë i zemëruar” nga sulmi, dhe tha se “kjo paraqet nevojën për forcim të kontrollit mbi ata që jetojnë në vendin tonë”.

 Joachim Herrmann, ministër i Punëve të Brendshme të Landit të Bavarisë

 

Herrmann deklaroi se ky person ishte i njohur edhe për dy  tentim vetëvrasje dhe ishte hospitalizuar në klinikën psikiatrike, transmeton lajmi.net.

“Ne nuk e dimë nëse ky person kishte planifikuar vetëvrasje apo kishte qëllimin për të vrarë edhe të tjerët”, tha ministri bavarez.

Megjithatë, ai nënvizoi se bomba në çantën e tij ishte e mjaftueshme për të vrarë dhe plagosur më shumë persona./lajmi.net