Zbardhet agjenda zyrtare e Victoria Nuland në Kosovë e rajon
Victoria Nuland, ndihmësja e Sekretarit Amerikan të Shtetit, do të takojë zyrtarë të lartë, gjatë vizitës së saj në Kosovë e Serbi si dhe në disa vende të ndryshme të rajonit.
Lajme
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se vizita e saj në këto vende të Evropës do të zhvillohet gjatë kësaj jave dhe javës tjetër, raporton lajmi.net.
Aktualisht Nuland është duke e shoqëruar Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij në Gjeorgji, Ukrainë dhe Poloni.
“Me 10 korrik, Nuland do të udhëtojë në Prishtinë-Kosovë, ku do të takojë zyrtarët e lartë të Qeverisë dhe Shoqërisë Civile me këndvështrim në marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale, përfshirë edhe përparimin në zbatimin e marrëveshjeve në dialogun Kosovë-Serbi, mbështetjen e Kosovës drejt integrimit Euro-Atlantik dhe përpjekjet në luftën kundër korrupsionit”, shkruan në deklaratën e lëshuar sot nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Pas vizitës që do t’i bëjë Kosovës, sipas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Nuland do të qëndrojë edhe në Shqipëri e Maqedoni, për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonalem, raporton lajmi.net.
Në Shqipëri, temë diskutimi me zyrtarët e lartë shtetërorë, liderët politikë dhe Shoqërinë Civile, do të jetë diskutimi i çështjeve rajonale por edhe reforma në sistemin e drejtësisë.
Ndërkohë, sipas njoftimit të DASH-it, Nuland në Maqedoni do të diskutojë me zyrtarët e lartë shtetërorë e politik, marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale si dhe nevojën për kapërcimin e krizës politike si dhe mbështetjen në punën e Prokurorit Special e në të njëjtën kohë edhe krijimin e kushteve kredibile për zgjedhje, përcjellë lajmi.net.
“Ajo do të udhëtojë pastaj në Beograd-Serbi, për të takuar zyrtarët më të lartë të Qeverisë dhe Shoqërisë Civile për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale, përfshirë edhe përparimin në zbatimin e marrëveshjeve në dialogun Serbi-Kosovë dhe vazhdimin e mbështetjes së përpjekjeve të Serbisë drejt BE-së”, nënvizon deklarata, raporton lajmi.net.
Ndihmësja e Sekretarit Amerikan të Shtetit, do ta përfundojë udhëtimin e saj në rajon duke vizituar edhe Qipron me 12 korrik, ku do të takojë zyrtarët e lartë të grekëve qipriotë dhe turko qipriotë, si dhe të dërguarin Special të Sekretarit të OKB-së dhe SHBA-së për Qipron, Barth Eide.
Ndërkohë, bazuar në deklaratën e DASH-it, ky do të jetë itinerari i vizitës së Victoria Nuland në rajon.
Agjenda e Victoria Nuland në Kosovë e rajon
Me 10 korrik-Nuland viziton Kosovën. Gjatë ditës, ajo viziton Shqipërinë.
Me 11 korrik-Nuland viziton Maqedoninë. Gjatë ditës ajo do të qëndrojë në Serbi.
Me 12 korrik-Nuland do të vizitojë Qipron./lajmi.net