I dashur kosovar
I dashur Kosovar (drejtuar të gjithë kosovarëve që veten do ta gjejnë në këta rreshta, përfshirë edhe veten).
Opinion
Shkruan: Azem Deliu
I çlodhur nga festa, diku në ndonjë qytet a fshat të Kosovës, ti tashmë do t’i kesh shtrirë këmbët në tavolinë, do ta kesh ndezur televizionin dhe me gjasë, po e sheh gruan tek orvatet në punët e shtëpisë (në të cilat as të shkon mendja t’i ndihmosh). Në mbrëmje do të dalësh në bar me shokët për ta sharë x institucionin që s’ju kreu punë sepse ”po shkon me t’njofshëm” ndërkohë që lutja jote në vend që të jetë ”mos me shku me t’njofshëm” është ”me e pasë një t’njofshëm”. Ty po të shkruaj sot.
Dje ishe në çajtore te Ilazi, pive çaj ”veresi” ndërkohë që Ilazit i duhet ta paguajë qiranë, rrymën, ujin dhe kamarieren që punon në lokal. ”Hajt se me dy çaja t’mi s’un i pagun” – kështu thua ti. Kështu thonë të gjithë klientët, prandaj Ilazi e ka këtë fat. Prandaj Kosova e ka fatin e Ilazit.
Para pak ditësh ishe në votime. ”Po votoj për ndryshime” – the, ndërkohë që e votove partinë e njejtë. Ke 17 vjet që i voton dhe po kaq vjet që i shan.
”Çika e kojshisë” tënd të afërt ka filluar të bëhet e zonja. Modele e kërkuar në revista ndërkombëtare. Për ty, ajo është kurvë. Prandaj jemi këtu, i dashur Kosovar. Sepse, mendja jote shkon veç deri aty sa ta shash edhe fqinjin tënd pse s’ia ka vrarë vajzës së vet ëndrrën e saj. Ti je një vrasës ëndrrash, që i shan të gjithë ata që s’janë vrasës ëndrrash. Prandaj po ia vret ëndrrat Kosovës, duke ‘’ia dashur të mirën’’, siç ‘’ia do të mirën’’ vajzës së fqinjit.
Ti je patriot i madh. Hiç më larg se sot paradite ecje nëpër qytet me xhamat e veturës hapur dhe këngën folklorike deri në qiell. E skajove pak makinën dhe qesen e mbeturinave e hodhe në skaj të rrugës. ‘’Hajt se për pak bërllog, s’e gjen gja Kosovën’’. Kështu thua ti, patriot. Kështu thanë të gjithë. Prandaj Kosova është ku është dhe Ilazi do ta mbyllë lokalin e tij në fund të muajit.
‘’Jemi komb me nivel shumë, shumë t’naltë t’tolerancës ndërfetare’’ – thua ti. Këtë fjali e ke mësuar përmendsh ndërkohë që, kur dikush deklarohet ateist, ti kujton se ai të ka fyer fenë dhe, bën atë që di të bësh më mirë: të shash. Prandaj Kosova është këtu ku është, prandaj Ilazi do ta mbyllë lokalin shpejt.
Ti je një student i shkëlqyeshëm. I shërben me përpikmëri institucionit. Iu shërben profesorëve, reciton me një shkathtësi prej papagalli çkado që është thënë në ligjërata por, rruga jote, goxha rrallë i bjen kah biblioteka. Ty po të shkruaj, i dashur.
Ti që e do Kosovën fort, por e do keq. Ti që e do vajzën e fqinjit ‘’si me e pasë tanën’’, e prandaj kujton se pjesë e kësaj ‘’dashnie’’ është edhe hetimi me llupë prej detektivi i çdo lëvizjeje të saj.
Prandaj, i dashur, Kosova është këtu ku është, prandaj edhe ti ke filluar t’i shohësh objektet e feve tjera me përçmim, të kujtosh se ateistët s’meritojnë të jetojnë. Prandaj vajza e fqinjit tënd nuk të respekton fare dhe prandaj, Ilazi do ta mbyllë lokalin shpejt. Paguaji gotat me çaj, lëre vajzën e fqinjit rehat, mos hidh mbeturina në rrugë, respektoje besimin e tjetrit dhe, shihja sytë ndonjëherë bibliotekës! Kështu Kosova do të ecë përpara. Fajin, shpesh më shumë se udhëheqësi, e ka i udhëhequri, i dashur Kosovar.
Azem Deliu