Kërkohet ligj më i mirë për Kinematografi

Komisioni parlamentar për Arsim dhe Kulturë edhe pse nuk ishin prezent përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës mbajti sot dëgjim publik për kinematografinë.

ShowBiz

29/06/2016 12:18

Për mungesë të përfaqësuesve të MKRS, kryetari i këtij Komisioni, Nait Hasani kërkoi të mos mbahet dëgjimi, por pjesëmarrësi në këtë komision, deputeti Shaip Muja kërkoi debat, ku sipas tij projektligji për Kinematografinë ka rëndësi për vendin dhe artin në veçanti. Ai kërkoi që me këtë projektligj të futen në juri të përzgjedhjes së filmave edhe ndërkombëtarë dhe jo vetëm vendorët.

Po ashtu, ai kërkoi të mos ndërrohet emri i Kosovafilimit, në mënyrë që mos ta ketë fatin e njëjtë sikur Televizioni i Prishtinës dikur.

Luan Kryeziu, regjisor dhe anëtar i grupit punues për projektligjin, tha se edhe Kosova, sikur të gjitha shtetet e botës duhet të ketë juri të përbërë vetëm nga vendorët për Kinematografi.

Blerta Basholli nga Shoqata e Producentëve kërkoi të bëhet një ligj më i mirë për të mirën e Kinematografisë dhe të vendit me disa ndryshime që janë të arsyeshme për kinematografinë.

Anëtarët e tjerë të komisionit nuk dëshiruan debat me arsyetimin se me të pranishmit kishin diskutuar edhe më parë këto tema.