Kërcënon marinari egjiptian: Më jepni 70 mijë Euro ose do fundos anijën shqiptare

Policia e Durrësit ka dhënë zyrtarisht informacion sa i përket peshkarexhës shqiptare ‘Çelepia 2’ që është marrë peng nga marinari egjiptian Adel Mohamed Sallam që ndodhet në bord.

Lajme

22/06/2016 18:20

Zyrtarisht konfirmohet se marinari kërkon 70 mijë Euro, duke kërcënuar se në rast të kundërt do të fundosë anijen së bashku me dy marinarët e tjerë shqiptarë që po i mban peng. Shqiptarët në bord janë kapiteni i motopeshkatores Dhimitër Malja 54 vjeç dhe Luan Mema 56 vjeç.

Peshkarexha me dy marinarët shqiptarë dhe atë egjiptianë u nisën për lundrim më 18 qershor, ndërsa më 21 qershor 2016, pronari i anijes “Çelepia 2”, Murat Çelepia u paraqit pranë Policisë Kufitare në Durrës, ku ka deklaruar se ka humbur kontaktet me anijen.

Më 22 qershor rreth orës 10:00, thotë Policia e Durrësit, egjiptiani Adel Mohamed Sallam ka marrë në telefon bashkëkombasin e vet egjiptian R. A. 53 vjeç, i cili punon në Portin e Durrësit, duke i thënë se peshkarexha ndodhet në afërsi të Aleksandrisë në Egjipt.

Policia ka nisur hetimet për këtë rast së bashku me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të zbardhur plotësisht ngjarjen.