“Në Det”, premiera e radhës në Teatrin Kombëtar

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se premiera e radhës do të shfaqet për publikun më 24 qershor.

ShowBiz

22/06/2016 15:44

Teksti i autorit polak Slaëomir Mrozhek “Në Det”, do të vijë në skenë nga regjisori Bashkim Ramadani, me përshtatje të Shpëtim Selmanit. Kushtrim Qerimi, Lulzim Bucolli, Ernest Zymberi, dhe Shpëtim Selmani janë aktorët që do ta portretizojnë këtë shfaqje, shkruan lajmi.net

Drama “Në Det” rrëfen ngjarjen e tre burrave të uritur të mbijetuar mbi një dërrasë të anijes së fundosur në mes të detit të cilët duhet të vendosin se cili do të bëhet ushqim për dy të tjerët. I holli, i mesmi dhe i trashi janë tre personazhet e shfaqjes.

Pasi të tre burrat shqyrtojnë procedurat shoqërore dhe politike në një seri të logjikës sa qesharake po aq absurde për të arrit tek zgjidhja, krijojnë situata sa qesharake dhe absurde, po aq edhe aktuale politike e thumbuese ndaj zhvillimeve politike dhe civile të një shoqërie të izoluar si kjo e jona.

“Regjisori me një tekst të tillë antologjik të dramaturgjisë absurde ka për qëllim të aludojë direkt dhe t’i thumbojë pështjellimet politike kosovare të aktualitetit. “Në Det” është një përrallë absurde e mbijetesës dhe vendimmarrjes demokratike.

Me këtë shfaqje regjisori ka për qëllim të sjellë para publikut çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me qeverisjen dhe sistemet politike, por mbi të gjitha – gjendjen e njeriut modern. Kjo shfaqje gjatë  një ore, do t’i  ofrojë  publikut kosovar një  përballje direkte me çështjen politike që  tash e sa vite po e shqetëson këtë publik”, thuhet në njoftimin e TKK-së.