Fillon sezoni turistik nëpër vendet shqiptare

Bashkia e Pogradecit hapi zyrtarisht sezonin turistik për vitin 2016. Kryetari i Bashkisë, Eduart Kapri shprehu besimin që ky sezon do të sjellë në Pogradec më shumë turistë.

Lajme

19/06/2016 22:26

Kreu i bashkisë bëri të ditur se këtë sezon është mundësuar një plan për rregullimin e infrastrukturës, të rrugëve e rrugicave, të rregullimit të parkut, dhe të një ndriçimi model që vjen për herë të parë në qytet. Po ashtu, tha ai, këtë vit do rregullojmë më mirë trafikun duke vendosur rregulla për qarkullimin.

“Plazhi publik këtë vit do jetë më i gjerë dhe në shërbim më të madh ndaj turistëve. Po ashtu kemi ndihmuar çdo operator të investojë në shërbime të përkohshme përgjatë kësaj vere. Së shpejti do kemi gati edhe planin rregullues, kushtetutën e bashkisë, i cili në thelb ka zhvillimin e turizmit”, tha Kapri.

Këtë vit Bashkia e Pogradecit do të promovojë edhe turizmin malor dhe atë kulturor. Vende me rëndësi të madhe historike dhe piktoreske do të marrin rëndësinë e duhur.

Njëkohësisht këto ditë edhe nëpër disa vende të tjera shqiptare ka në filluar sezonet turistike, duke përgatitur vendet më të vizituara nga turistët.