The Guardian: Arta Dobroshi, refugjatja që nuk harron të kaluarën

Gazeta e njohur britanike “The Guardian” i ka kushtuar një hapësirë të veçantë aktores së famshme kosovare, Arta Dobroshi, e cila ka folur për vështirësitë gjatë karrierës së saj në film.

ShowBiz

18/06/2016 19:28

Në një intervistë për të përditshmen britanike, aktorja Dobroshi para premierës së filmit të saj të shkurtër “Home”, ka folur për të kaluarën e saj si refugjatë dhe vështirësitë në fëmijëri.

Ajo ka kujtuar kohën kur prindërit e saj vazhdimisht e kanë këshilluar atë dhe dy vëllezërit e saj që të kënaqeshin gjatë jetës së tyre.

“Vetëm kënaquni”, i kishin thënë prindërit Arta Dobroshit derisa ajo po rritej së bashku me vëllezërit e saj. “Çdo ditë më thoshin: Mos u mërzitni për gjithçka – vetëm kënaquni’”. “The Guardian” shkruan se këtë familje e bënë të jashtëzakonshme vendosshmëria që të jenë të lumtur duke jetuar në një zonë lufte.

“Por përveç shmangies së plumbave dhe detyrimit që të largoheshin me dhunë nga shtëpia e tyre për në një kamp refugjatësh, prindërit e saj nuk ndaluan të jenë të lumtur, pozitivë dhe me plotë shpresë për të ardhmen”, shkruan “The Guardian”.

Arta Dobroshi

“Me çfarëdo që përballeshim, prindërit e dinin se gjëja më e rëndësishme që t’i jepnin fëmijëve ishte shpresa, buzëqeshja dhe lumturia”, thotë Dobroshi. E kaluara e saj si refugjate, shkruan “The Guardian”, i ka ndihmuar Arta Dobroshit që ajo të realizojë filmin e shkurtër “Home”, premiera e të cilit do të jepet në Lodër gjatë këtij vikendi. “Filmi është i dizajnuar që të bëjë një gjë që Arta gjithmonë besonte se do të bënte dallimin: Vendosja e njerëzve fatlumë në këpucët e njerëzve të pafat”.

Filmi është një rrëfim i njohur, por diçka dallon: Familja që ka vendosur në filmin e saj nuk është siriane ose afgane. Është britanike. “Filmi përcjell fatin e një familje me dy fëmijë të cilët janë të detyruar që të largohen nga shtëpia e tyre. Ata paguajnë kontrabandistë për t’i bartur me vetura, në njërën fëmijët e tyre ndërsa në tjetrën prindërit”, shkruan The Guardian. “Ka frikë dhe dhunë.

Çifti detyrohet disa herë që të bartë fëmijët e traumatizuar nëpër fusha dhe nëpër ndërtesat e rrënuara dhe në një moment ata vrapojnë për të shpëtuar pasi gjenden në mesin e një fushëbeteje”.

Privilegji më i madh i karrierës së saj që tani Arta Dobroshi po e shijon, thotë ajo, se është mundësia që të tregojë rrëfimin për refugjatët.

Këtu mund të gjeni linkun me shkrimin e plotë:

http://www.theguardian.com/lifeandstyle/2016/jun/18/i-was-a-refugee-nobody-wants-to-leave-their-home