Kredia për individët në Shqipëri u rrit me 4.8%

Kredia për individët në Shqipëri u rrit me 4.8% gjatë vitit 2015, ndërkohë që kredia për biznese u rrit me vetëm 1.2%.

Lajme

13/06/2016 23:43

Banka Qendrore bëri të ditur se kredia konsumatore ka shënuar një rritje vjetore prej 11.4%. Paralelisht me të, kredia për banesa u rigjallërua në pjesën e dytë të vitit, duke shënuar një rritje vjetore prej 3.0%

Sipas BSH-se, rritja e kredisë për biznese ka qenë përgjithësisht e dobët. Kredia e bizneseve për likuiditete u rrit me 0.9% në fund të vitit, pasi kishte disa muaj që luhatej në terren negativ. Kredia për investime ka shfaqur norma pozitive rritjeje, duke shënuar në fund të vitit një rritje vjetore prej 1.7%.

Rritja e kredisë për sektorin privat është mbështetur nga një rritje e qëndrueshme e kredisë në lekë. Reduktimi prej disa vitesh tashmë i kostos së kredisë në lekë, së bashku me orientimet e politikave të bankave drejt kredisë në lekë, kanë përkrahur zhvendosjen drejt monedhës vendase të portofolit të kredisë. Ky portofol shënoi një rritje vjetore prej 5.4% gjatë vitit 2015. Në fund të muajit dhjetor, raporti i kredisë në lekë ndaj totalit shënonte 41% ose 1.2 pikë përqindjeje më shumë se në vitin 2014.