Koci: Partia më ka nominuar për ministër, nuk e di çfarë ndodhi

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Gani Koci, ishte propozuar nga partia unanimisht për ministër të Drejtësisë, por ai nuk u zgjodh në këtë pozitë.

Lajme

04/06/2016 10:10

Këtë e ka konfirmuar vet Koci, që në një intervistë për Epoka e Re ka thënë se duhet të pyetet PDK-ja përse vendosi që mos t’ia jap pozitën e ministrit të Drejtësisë.

“Se pse nuk jam emëruar ministër i Drejtësisë për këtë duhet të tregojë partia kur të shtrohet kjo çështje në kryesi. Në këtë drejtim konsideroj se vendimi i kryesisë së PDK-së i datës 13 maj, i cili u konfirmua edhe më 19 maj, që unë të jem i nominuar për postin e ministrit të Drejtësisë, është akoma në fuqi, pasi nuk është shfuqizuar me asnjë vendim tjetër”, ka thënë Koci.

Ai ka vlerësuar se askush zyrtarisht nuk i ka thënë se emri i tij është i padëshirueshëm nga ndërkombëtarët.

“Informata zyrtare për këtë çështje nuk kam prej askujt. Kurse informata jozyrtare ka pasur që kanë qarkulluar se, gjoja unë nuk jam i përshtatshëm për ndërkombëtarët. Prandaj, do të dëshiroja t’u bëj thirrje ndërkombëtarëve, të gjithë atyre që emrin tim e kanë gjetur si të papërshtatshëm për këtë post, të japin një sqarim për opinionin”, ka thënë Koci, duke siguruar qytetarët se në biografinë e tij për asnjë rast nuk do të mund të gjendet ndonjë element kriminal.