Gashi: Azem Syla është marrë vesh me EULEX-in në telefon (Video)

Tomë Gashi, avokat i deputetit Azem Syla ka treguar në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel, se klienti i tij është në një pushim të planifikuar dhe nuk e ka ditur se EULEX-i në ditën e sotme do ta zhvillojë aksionin dhe do të trokas në dyert e shtëpisë së tij.

Lajme

27/04/2016 23:18

“Klienti im ka kontaktuar me zyrtarë të EULEX-it përmes telefonit dhe ata e dinë shumë mirë se ku gjendet dhe tani është çështje logjistike organizimi i ardhjes së tij nga pushimi në Kosovë”, ka thënë avokati Gashi.

Ai thotë se Azem Syla shumë shpejt do të jetë në Kosovë dhe do ta sqarojë rastin.

“Pasi që unë kam marrë autorizim me shkrim nga klienti im, unë kam folur disa herë në telefon me të dhe ai ka shfaqur dëshirën e tij se sa më shpejt që të jetë e mundur të kthehet në Kosovë dhe do të kontaktojë me organet e drejtësisë që t’i japë sqarimet e tij lidhur me këto pretendime të kinse involvimit të tij në krim të organizuar”, ka thënë ai.

Sipas Gashit hetimet në lidhje më këtë rast kanë nisur në vitin 2014, pastaj disa herë janë zgjeruar ato ndaj pjesëtarëve të tjerë, siç thonë ata të grupit të Azem Sylës.

“Është e çuditshme se si EULEX-i po hap raste të reja kur ne e dimë se më pak se dy muaj i kanë mbetur deri në përfundimin e madantit. Dhe është e pamundur që të përfundojnë hetimet gjatë kësaj kohe”, ka deklaruar avokati Gashi duke shtuar se ai personalisht është kundër vazhdimit të mandatit të këtij misioni.

E duke folur për deklaratat e Prokurorisë e cila thotë se Policia e Kosovës që dhjetë ditë është duke e kërkuar Azem Sylen, Gashi është shprehur se nuk është aspak e vërtetë ajo që thotë Prokuroria.

“Klienti im dje ka qenë në Prishtinë, ndërsa një ditë më parë ka qenë bashkë me kryeministrin në përurimin e një shkollë në Drenicë”, ka thënë ai.

Ndërsa në TV Rrokum, Gashi më tej ka theksuar se përderisa flet në emision ai është duke përgjuar, ku ka shtuar se përgjimet janë elektronike e jo si në shekullin e kaluar.

Duke i përmendur daljet publike të Sylës në ditët e fundit, Gashi tha se kjo është bërë për të thënë se nuk po munden me e përmbyll rastin sa kanë kohë, dhe se me këtë kanë kërkuar të ju zgjatet mandati.

Gashi tha se EULEX në rastin Syla e poshtëroi Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës.

YouTube player