Sherri i Behgjet Pacollit dënohet me 5 mijë euro Kryeshefi i Aeroportit të Prishtinës
Kryeshefi Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës- Kontrolli Ajror, Bahri Nuredini është dënuar me 5 mijë euro nga Departamenti i Aviacionit Civil në Ministrinë e Infrastrukturës.

Lajme
Shkak për këtë dënim është kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli i cili më 26 tetor të vitit të kaluar me aeroplanin e tij privat kishte aterruar në Aeroportin e Prishtinës pa leje.
Burime të ORAinfo bëjnë të ditur se departamenti i Aviacionit Civil në Ministrinë e Infrastrukturës, ka vlerësuar se lejimi i aterrimit të këtij aeroplani pa leje paraprake ka rrezikuar sigurinë e trafikut ajror, duke e vlerësuar këtë si një shkelje të rëndë.
Me këtë rast ky departament ka shqiptuar masa ndëshkuese për menaxhmentin e këtij aeroporti që ka lejuar aterrimin e aeroplanit të Pacollit pa pasur leje paraprake.
Muhamet Islami, udhëheqës i Sektorit të Sigurimit në Aeroportin e Prishtinës, ka pranuar për ORAinfo, se më 26 tetor të vitit të kaluar një aeroplan nga Dubrovniku ka aterruar në Aeroportin e Prishtinës pa pasur leje paraprake.
Megjithatë, ai ka mbrojtur vendimin e menaxhmentit ku punon që ka lejuar aterrimin e aeroplanit në fjalë pa leje paraprake, duke kontestuar vendimin për gjobë të Ministrisë së Infrastrukturës.
“… Ne po ashtu kemi kontaktuar edhe me autoritetin e aviacionit civil, ku kemi nxjerr incizimet në mes kontrollorit dhe pilotit. Gjatë atyre incizimeve ne kemi vërejt se piloti i kompanisë insistonte se ka leje për operim dhe ne kemi kontaktuar me Ministrinë e Infrastrukturës, përkatësisht me departamentin e Aviacionit Civil, ku kemi kërkuar sqarime dhe bashkëpunim me ta në lidhje me rastin.
Ata na u kanë përgjigj me shkrim se ajo leje për të cilën po pretendon piloti nuk është për destinacionin Dubrovnik- Prishtinë, por për destinacionin Prishtinë- Tiranë”, ka thënë Islami.
Ai ka njoftuar se piloti ka deklaruar, se Aeroporti i Dubrovnikut është i mbyllur dhe nuk ka kerozin të mjaftueshme për të qëndruar në ajër dhe për këtë arsye i është lejuar aterrimi në Aeroportin e Prishtinës edhe pse nuk ka pasur leje paraprake.
“Piloti ka deklaruar, se Aeroporti i Dubrovnikut është i mbyllur dhe nuk ka korezinë të mjaftueshme, në këtë situatë piloti edhe pse nuk ka shpallur emergjencë, kontrollori e ka vlerësuar si situatë të jashtëzakonshme dhe e ka lejuar fluturimin e fluturakes dhe e ka njoftuar policinë që t’i ndjekin procedurat tjera”, ka thënë Islami.
Ndërkaq, Lorik Abdullahu, drejtor i Departamentit Ajror në Aeroportin e Prishtinës, ka thënë për ORAinfo se dënimi është i paqëndrueshëm nga Ministria e Infrastrukturës.
“Rasti është trajtuar në mënyrë shumë profesionale gjë që është për tu lavdëruar ekipi që ka punuar, ngase komplet ajo situatë e jashtëzakonshme është menaxhuar komfor procedurave të parapara për situatat e jashtëzakonshme dhe emergjente, ngase ajo situatë dhe ai fluturim është cilësuar si në situatë të jashtëzakonshme komfor manualit dhe menaxhimit të kontrollit ajror”, ka thënë Abdullahu.
Sipas tij, vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës kërkon rishqyrtim.
“Ne jemi në komunikim dhe kemi me vazhduar që t’i shqyrtojmë procedurat tona për të ardhmen, ngase çdo situatë emergjente mundet me qenë e pa planifikuar. Paramendoni sikurse ne nuk do ta kishim lejuar atë aeroplan të aterroj, kish me mbet në ajër dhe pa kerozin, atëherë çfarë përgjegjëse kishim marr ne si Kosovë”, ka thënë Abdullahu.
Në anën tjetër, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli është mundur t’i ikë të vërtetës duke mos e pranuar faktin se shkak i gjithë kësaj situate ka qenë aeroplani i tij, i cili ishte nisur nga Dubroviku pa pasur fare leje për të aterruar Në Aeroportin e Prishtinës.
Pacolli madje në përgjigjet dërguar ORAinfo-s, ka fyer rëndë gazetarët e kësaj redaksie.
“Nuk është e vërtet…. Ju nuk jeni normal, si mundet dikush me fluturuar ilegalisht si ju e quani…Informohuni më mirë”, ka qenë përgjigja e Pacollit. /ORAinfo