Kosovareve që ushqejnë fëmijët me gji u takojnë dy orë pushim në ditë, Ligji nuk zbatohet

Kanë kaluar pesë muaj që kur është miratuar ligji “Të drejtat e femrës së punësuar për gjidhënie”, por informimi se ky ligj ekziston është shumë i vogël, gjë që ka ndikuar që të mos ketë as ankesa për shkeljen e tij.

Lajme

02/04/2016 20:03

Sipas këtij ligji, çdo grua e punësuar që ushqen fëmijën me qumësht gjiri, nëse nuk e shfrytëzon pushimin e lehonisë pas muajit të gjashtë, atëherë nga muaji i gjashtë e deri në një vit i takon pushimi me pagesë prej dy orësh në ditë gjatë orarit të punës, si dhe çdo e punësuar që ushqen foshnjën me qumësht gjiri pas vitit të parë deri në dy vjet ka të drejtën e një orë në ditë pushim me pagesë brenda orarit të punës.

Po ashtu, sipas këtij ligji punëdhënësi është i obliguar t’i krijojë kushte më të mirë dhe të mos e lejojë të punojë punë të cilat do ta dëmtojnë shëndetin e gruas ose të ndikojë tek fëmija.

Se informimi për këtë ligj është i mangët e thotë kryeinspektori i punës në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, i cili shton se deri më sot nuk kanë pranuar asnjë ankesë për respektimin e tij.

Sipas tij, për këtë ligj është dashur të bëhej një fushatë më e gjerë, në mënyrë që gratë të informohen për të drejtat e tyre.

“Ky ligj ka filluar shpejtë të zbatohet dhe ne deri tani nga terreni nuk kemi ndonjë informatë apo ndonjë ankesë që deri tani nuk është zbatuar, apo ka pasur ndonjë kërkesë dhe nuk është zbatuar, ne nuk kemi asnjë ankesë deri më sot. Sigurisht që për këtë ligj do të duhej që të bëhej një fushatë më e gjerë dhe që të informohen gratë për këtë të drejtë të tyre sepse deri tani kjo e drejtë nuk ka qenë, së paku ne nuk kemi pasur informata.Unë dyshoj që gratë janë të informuara për këto të drejta”, tha Ibrahimi.

Në këtë mosinformim sipas Ibrahimit kanë ndikuar edhe zhvillimet e fundit politike, ku fokusi i opinionit publik ka qenë te k zhvillimet aktuale, e shumë më pak në atë se çfarë ligjesh po miratohen.

“Fokusi i medieve edhe opinionit publik ka qenë shumë më pak se çfarë ligjesh të tjera po miratohen, kjo sigurisht që është një defekt edhe opinioni i gjerë nuk është i informuar, për këtë do të thotë që duhet zhvilluar një fushatë goxha e madhe, goxha e ngjeshur që gratë të kuptojnë që është një ligj i cili i mbron edhe pas pushimit të lehonisë, sepse deri tani ka qenë kryesisht fokusi në pushimine lehonisë”, tha Ibrahimi.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina tha se ky ligj është i nevojshëm për nënat e reja kur dihet se gjidhënia është ushqimi më i mirë për çdo fëmijë, prandaj sipas saj, duhet të ngritët vetëdija për respektimin e tij.

“Ky ligj ka qenë edhe në të kaluarën sepse është një ligj i nevojshëm për nënat e reja dhe dihet se gjidhënia është metoda më e mirë, ushqimi më i mirë për çdo fëmijë, natyrali ai që mbron edhe nga sëmundjet, ka imunitet dhe ka përbërësit adekuat për rritje të fëmijëve. Natyrisht që për gjidhënien duhet folur më shumë, sepse gratë e reja sikur hezitojnë dhe mendojnë se gjidhënia u shkakton dëme të bukurisë ose tjera që në të vërtet është e kundërta, prandaj unë kujtoj që pediatri dhe punëtorët e tjerë shëndetësorë që punojnë në këtë lami duhet të jenë më të zëshëm në reklamimin e gjidhënies”, tha Brovina.

Lidhur me organizimin e fushatave që qëllim kanë vetëdijesimin për rëndësinë e këtij ligji, Brovina tha se politikat shëndetësore i zbaton Minis tria e Shëndetësisë dhe Instituti Shëndetësor Kombëtar.

Sipas saj, me këtë çështje duhet të merren edhe institucione të tjera si Pediatria e Gjinekologjia.

“Ne si gra parlamentare të organizuara në kuadër të kësaj mund të organizojmë tribuna e edhe kemi organizuar edhe në të kaluarën që të flasim dhe të aktualizojmë që gjidhënia është ushqimi më i mirë i fëmijëve, çdoherë dhe çdo kohë, sidomos kur shfaqen sëmundjet sikur janë tani në pranverë, gripi apo jashtëqitjet dhe nuk ka asnjë ushqim më të mirë se gjidhënia. Pres që këto institucione që i përmenda, Mjekësia Familjare që merret me trajtimin dhe rritjen e foshnjave dhe të fëmijëve te vegjël të bëjnë këtë punë”, tha Brovina.

Ligji për gjidhënie është miratuar në fund të vitit të kaluar në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës dhe është kaluar pa asnjë diskutim.