Azil në Holandë, 480 kërkesa nga shqiptarët vetëm në 2 muajt e parë të vitit
Shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të të porsambërriturve që pretendojnë statusin e refugjatit në Holandë. Edhe pse vendi ynë konsiderohet një vend i sigurt, shqiptarët vijojnë të braktisin vendin e tyre.

Lajme
Ndërkohë që të larta janë edhe shifrat e azilkërkuesve në Gjermani.
Burime nga Ministria e Brendshme holandeze i thanë transmetuesit publik NOS se, përgjatë dy muajve të parë të këtij viti, 480 shtetas shqiptarë kanë kërkuar azil në këtë vend, edhe pse shanset që kërkesa t’u pranohej janë praktikisht zero.
Në të njëjtën kohë, numri i sirianëve që kanë aplikuar për statusin e refugjatit në Holandë ka rënë nga 5.000 në muaj që ishte përpara, në vetëm disa qindra.
Sidoqoftë, NOS thotë se nëse përfshihen dhe të afërmit e mbërritur për bashkime familjare, atëherë sirianët vazhdojnë të mbeten grupi më i madh në këtë kategori.
Që prej janarit 2015, vetëm 4 të ardhurve nga Shqipëria, e konsideruar vend i sigurt origjine, u është njohur e drejta e azilit. 795 të tjerëve u është refuzuar.
Zeki Shehu, i Këshillit Koordinator në Holandë, tha për median në fjalë se shumë shqiptarë nuk e bëjnë fare dallimin mes azilit dhe emigracionit. “Ata thjesht duan të punojnë”, u shpreh ai.
Që prej fillimit të marsit, qeveria holandeze i ka përshpejtuar procedurat e menaxhimit të kërkesave nga personat e vendeve të treta të sigurta, me qëllimin që kthimi i tyre mbrapsht të bëhet sa më shpejt.
Në janar, Holanda arriti një marrëveshje me autoritetet shqiptare për deportimin në grupe të mëdha të shtetasve të paligjshëm shqiptarë me avionë të posaçëm.
Por deri më tani, thotë NOS, fluturime të tilla nuk ka pasur. Shqiptarëve që pranojnë të kthehen vullnetarisht u jepet një biletë avioni dhe 200 euro. Këtë skemë brenda tre muajsh e kanë ndjekur 385 vetë.
Ndërkohë që pak ditë më parë, Eurostat ka publikuar pak ditë më parë raportin më të fundit për azilkërkuesit që janë regjistruar për herë të parë në vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit 2015. Sipas këtyre shifrave, në total janë bërë 1.255.600 aplikime në të 28 vendet e BE-së, ku kryesojnë ata nga Siria, Iraku dhe Afganistani.
Sipas shifrave të publikuar nga Eurostat, Shqipëria përbën 5 % të të gjithë azilkërkuesve në 2015, e përkthyer në shifra, plot 65 935 kërkesa për azil. Gjermania është vendi më i kërkuar nga azilkërkuesit shqiptarë, ndjekur pas nga Franca dhe Suedia.
Në Gjermani, Shqipëria renditet pas Sirisë për kërkesat për azil, me 12% të totalit të tyre, apo 53 805 kërkesa vetëm në 2015.
Ndërsa në Francë shqiptarët bëjnë 4% të aplikimeve, apo 3220 kërkesa, dhe në Suedi 3.9% të aplikimeve, apo 2565 kërkesa. Eurostat bëri të ditur se në 28 vende të BE krahas këtyre shifrave, të publikuara për 2015, ka ende edhe 1 milionë kërkesa të tjera në pritje të një përgjigje, ku numrin më të madh e zë Gjermania.