Thaçi: Dialogu politik, çelësi i zgjidhjes së të gjitha problemeve

Presidenti i zgjedhur Hashim Thaçi thotë se do të respektojë Kushtetutën dhe do të kultivojë unitetin në vend.

Lajme

01/03/2016 21:27

Thaçi premtoi se do të punojë pa u ndalur në liberalizimin e vizave, anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Europian dhe se do t’i kultivojë dhe ruaj raportet me SHBA’të. Tha se çelësi i zgjidhjes së të gjitha problemeve është dialogu politik.

‘Dërgojmë mesazhin edhe nga Shatërvani i Prizrenit për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të ndërtojmë një Kosovë të re, një Kosovë europiane, një Kosovë multietnike, një Kosovë tolerante, një Kosovë të paqes, të zhvillimit, progresit, mirëqenies sociale, krijimit të vendeve të reja të punës, një Kosovë që do të punojë shumë për liberalizimin e vizave, për tu anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Europian dhe gjithmonë me i rujtë dhe me i kultivu raportet e përjetshme dhe të shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.

Tha se puna e tij e parë është respektimi i Kushtetutës.

“Do të respektojë Kushtetutën, do ta kultivoj unitetin politik dhe qytetarë. Do t’iu shërbejë të gjithëve, kjo është detyra ime, ky është  obligim i kushtetues, qytetarë, atdhetarë, politik, institucional por edhe karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe dialogu politik është çelësi i zgjidhjes së të gjitha problemeve’, tha Thaçi.