Rivarrimi i Ibrahim Kodrës shkakton debat edhe në parlamentin shqiptar
Rivarrimi i eshtrave të Ibrahim Kodrës është bërë temë debati në Komisionin e Jashtëm në Parlamentin e Shqipërisë.

Lajme
Deputeti i PS-së Ben Blushi i ka kërkuar “llogari” ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, përse nuk ka folur me banorët e Ishmit para se të vendoste heqjen e eshtrave të piktorit.
Ndërkohë, ministrja Kumbaro ka deklaruar se prej tre javësh është komunikuar vazhdimisht me banorët.
Banorët e Ishmit prej disa ditësh kanë kundërshtar vendimin e Ministrisë së Kulturës për zhvendosjen e eshtrave të piktorit kubist shqiptar nga vendlindja e tij, raportojnë mediet shqiptare.
Eshtrat e të ndjerit do të vendosen në një varr monumental në kodrat e liqenit artificial të Tiranës.
Drejtori i Fondacionit “Ibrahim Kodra”, Behgjet Pacolli, ka shkruar në facebook se artisti e ka përcjellë ligjërisht dhe me zë vullnetin e tij të fundit për t’u prehur pas vdekjes në Tiranë.
“10 vjet më parë, një mungesë koordinimi, mosinformimi në kohë, bëri që Mjeshtri të varrosej në Ishëm”, ka shkruar Pacolli.
Ai shton se bartësit e amanetit të Kodrës nuk kanë dashur të krijonin polemika publike me këtë fakt, por kanë kërkuar zyrtarisht që më në fund Maestroja të prehej në Tiranë.
“Ata kanë zhvilluar korrespondenca me autoritetet shqiptare dhe kanë marrë premtime të vazhdueshme në favor të këtij amaneti nga dy krahët e politikës”, ka thënë Pacolli. /lajmi.net