Brenda një dite raportohen tri raste të dhunës në familje

Tre raste të ndara të dhunës në familje janë raportuar të kenë ndodhur në Kosovë.

Lajme

09/02/2016 15:01

Sipas Policisë, njëri nga rastet ka ndodhur në Prishtinë gjatë ditës së djeshme. Një person ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore dhe i njëjti më pas është arrestuar.

Viktima është dërguar në strehimore ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Dhunë në familje po ashtu ka ndodhur edhe në Suharekë, ku babai ka përdorur dhunë psikike ndaj vajzës së tij dhe anëtarëve të tjerë të familjes. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti i tretë është raportuar të ketë ndodhur në Fushë Kosovë ditën e së dielës, ku është  arrestuar i dyshuari, pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht vajzën e tij.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit të Policisë, me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt./lajmi.net