Reagon KDI: Letra e Pretenit, fyese për stafin
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj një letre që Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ua ka dërguar atyre.

Lajme
KDI thotë se, përmes kësaj letre, Preteni ka fyer stafin e KDI-së dhe, me gjuhë të urrejtjes, vlerëson shoqërinë civile si agjent për shantazhim dhe shërbim të profiterëve, raporton lajmi.net.
Sipas tyre nuk është hera e parë që Preteni fyen organizata të shoqërisë civile./lajmi.net.
Ky është reagimi i plotë i KDI-së:
“Në kohën kur KDI bën përpjekje që përmes përvojave rajonale të akterëve institucionalë dhe të shoqërisë civile të ndërtojë rekomandime gjithëpërfshirëse për thjeshtësimin e mekanizmave institucionalë dhe rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), z. Hasan Preteni dërgon letër përmes së cilës fyen stafin e KDI-së dhe me gjuhë të urrejtjes vlerëson shoqërinë civile si agjent për shantazhim dhe shërbim të profiterëve.
Kjo qasje është e papranueshme dhe denigruese, çfarë KDI e denoncon duke u bazuar në parimet e integritetit për të krijuar një qeverisje sa më të pavarur dhe llogaridhënëse në emër të interesit publik.
Duke qenë se kjo nuk është hera e parë që z. Preteni fyen organizata të shoqërisë civile, kërkojmë nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit të veprojë brenda kompetencave dhe të mbajë përgjegjës udhëheqësin e Agjencisë”.