Edhe një tjetër serb ka vdekur në Hagë

Gjenerali i ushtrisë së Republikës Serbe, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë, vdiq në Hagë.

Lajme

09/02/2016 11:50

Gazeta serbe “Novosti” raporton se gjenerali i Ushtrisë së Republikës Serbe, Zdravko Tolimir, vdiq mbrëmë në një qeli të gjykatës së Hagës, transmeton lajmi.net.

Tolimir raportohet të ketë qenë prej kohësh i sëmurë.

Sipas raportimeve të mediave serbe ai ishte personi kryesor në fshehjen e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mladiq, gjithashtu i akuzuar për krime lufte.

Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës, i kishte konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm Tolimirit, nën akuzën për gjenocid në Srebrenicë.

Kolegji gjyqësor në vitin 2012 në mënyrë unanime e shpalli atë fajtor, si personin përgjegjës për vrasjen e të burgosurve myslimanë në Srebrenicë dhe dëbimin e civilëve nga zona.

Tolimir ishte i pranishëm në Srebrenicë dhe Zepë në korrik 1995 , kur Ushtria e Republikës Serbe po kryente krimin. Ai jo vetëm që e dinte se çfarë po ndodhte në këtë qytet, por personalisht kishte propozuar vrasjen e refugjatëve, dhe pastaj kishte punuar në fshehjen e krimit.

Në Hagë më parë ka vdekur edhe kryekrimineli serb, Sllobodan Millosheviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë, dhe vende të tjera të ish-Jugosllavisë. /lajmi.net