Punëtorët e Fabrikës së Tubave protestojnë para AKP-së

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave të Ferizajt, të cilët çdo të hënë tubohen në sheshin e qytetit “Adem Jashari” në Ferizaj, ditë më parë kanë marrë vendim që sot të mbajnë edhe një protestë para Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP).

Lajme

02/02/2016 07:49

Në njoftimin për media thuhet se kjo është protesta e 130 që po mbajnë, në kërkim të të drejtave të tyre. Punëtorët kërkojnë zbatimin e vendimit të gjykatave, sipas të cilëve u njihet e drejta e kompensimit për vitet sa kanë qenë të dëbuar nga puna, gjatë masave të dhunshme, duke llogaritur në këtë mes edhe kamatat.

“Kërkesë e jona e vetme është që Bordi i AKP-së të marr vendimin për lejimin e mjeteve të nevojshme për pagesën e borxhit, sipas Udhëzimit të Dhomës së Posaçme të datës 30 maj 2014 dhe datës 13 qershor 2014”, thuhet në njoftimin e ish-punëtorëve të kësaj fabrike.