Diaspora shqiptare e integruar mirë në Austri
Ministri i Diasporës, Valon Murati, priti në një takim njoftues ambasadorin e Republikës së Austrisë, GernodPfandler.
Lajme
Në takim, përveç njohjes me punën e deritashme të Ministrisë së Diasporës (MD) dhe sfidat saj të mëtejshme, u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fusha të ndryshme, duke pasur parasysh faktin se diaspora shqiptare ka koncentrim të madh në vendet gjermanofolëse, duke përfshirë edhe Austrinë.
Sipas një komunikate të MD-së, ministri Murati,në takim me Pfandler, i dha theks të veçantë mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë dhe tërheqjes së investimeve nga diaspora, dy projekte me prioritet në objektivat e Ministrisë për këtë vit, të cilat kërkojnë bashkëpunim më të thellë institucional/
“Rrjetet e bizneseve në Austri, të cilat janë iniciuar nga Ministria e Diasporës, janë jashtëzakonisht aktive në punën e tyre. Tashmë, ato janë duke shërbyer edhe si urë lidhëse jo vetëm mes tyre, por edhe mes bizneseve austriake dhe Kosovës me ide për projekte investive në të ardhmen e afërt”, tha ministri Murati.
Po ashtu, ministri Muratie njoftoi ambasadorin austriak për projektet që Ministria e Diasporës planifikon t’i fillojë me implementim në kthimin e remitancave nga diaspora në projekte investive, në veçanti në fushën e agrikulturës dhe të teknologjisë informative.
Nga ana tjetër, ambasadori Pfandler e rikonfirmoi përkrahjen e Austrisë për Kosovën, ndërsa e lavdëroi komunitetin shqiptar në Austri si komunitet të integruar mirë.