Inaugurohet në Gjakovë Qendra për Aftësim Profesional, më e madhja në Kosovë
Qendra për Aftësim Professional, më e reja dhe më e madhja në Kosovë është inauguruar sot në qytetin e Gjakovës. Kjo qendër me hapësirë prej 2000 metra katrorë. e cila do t’u mundësojë të rinjve gjakovarë mësimin e disa profesioneve, është ndërtuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës dhe ka kushtuar 50 mijë euro.
Lajme
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi në inaugurimin e kësaj qendre ka thënë se do të vazhdojë puna për ndihmën dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore për qytetarët e Gjakovës.
“Me këtë qendër ne përmbyllim ngritjen e kapaciteteve fizike nëpër regjione, nëpër komunat kryesore të Kosovës sa i përket aftësimit profesional. Ne biseduam edhe me kryetaren nevojën për aftësim profesional për t’u ndihmuar qoftë punëkërkuese, qoftë bizneseve dhe nevojave të industrisë. Gjatë vitit të ardhshëm ne do të dalim edhe me projekte konkrete që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve njerëzore të qytetarëve të Gjakovës”, tha Abrashi.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, ka falënderuar ministrin Abrashi për bashkëpunimin në ndërtimin e Qendrës për Aft? ?sim Profesional dhe ka theksuar se edhe komuna e Gjakovës ka ndihmuar në këtë projekt.
“Ministria e Punës dhe Mirëqenies ka investuar në objektin e qendrës për aftësim profesional, i cili sot inaugurohet dhe është objekti më i madh në Kosovë ose qendra më e madhe e aftësimit profesional. Gjithashtu Komuna e Gjakovës ka dhënë tokën dhe gjithashtu ka ndihmuar në proceduart e lejes dhe palanifikimit. Me vjen shumë mirë që tashmë jemi bashkë prapë ende pa u bërë një vit ministër në detyrë jemi këtu inaugurimin e kësaj qendre.”, ka theksuar Kusari – Lila.
Ndërkaq, drejtori i Qendrës Regjionale për aftësim profesional Shaban Laha, ka treguar se në këtë qendër të rinjtë do të kenë mundësi që të aftësohen për tetë profesione, në mënyrë që pastaj të dalin në tregun e punës.
“Profesionet e reja që do të aplikohen në këtë qendër janë : autoelektrika, automekanika, kuzhinier, banakier, profesioni i floktarisë, rrobaqepësia, profesioni i hidroinstalimeve dhe ngrohjeve qendrore. Këto janë profesionet për të cilat janë të dizajnuar kabinete dhe do të fillojmë posa të pajisen kabinetet me pajisje dhe me inventar”, tha Laha.