AAK reagon lidhur me thirrjen publike të Kadri Veselit
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, përmes një letre publike drejtuar partive opozitare, i ka ftuar ato që të marrin pjesë në seancën e së hënës, ku do të bëhet ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Lajme
Lidhur me këtë thirrje të Veselit, ka reaguar partia në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në reagimin e AAK-së thuhet se “Kadri Veseli ka mbyllur dyert e Kuvendit të Kosovës për deputetët hiq më larg se dje. Ka futur më shumë policë në seancë se që ka pasur deputetë dhe ka organizuar të ashtuquajturën seancë në bufe, duke mos i ftuar fare deputetët e opozitës. Kadri Veseli po i cilëson 203 mijë nënshkrime të qytetarëve si jovalide. Pra, ai vullnetin e 203 mijë njerëzve e shesh si jovalid! Kadri Veseli asnjë fjalë s’po guxon ta thotë rreth Asociacionit dhe Demarkacionit. Bash asnjë fjalë të vetme! As pro dhe as kundër! Sikurse këto të mos ndodhnin fare në Kosovë! Dje i ka mbyllur dyert e Kuvendit për deputetët dhe sot po bën gjoja thirrje për pjesëmarrje në seancë!”, thuhet në komunikatë, raporton lajmi.net
AAK thotë se Kuvendi është institucion i popullit, jo personal i dikujt.
“Opozita nuk po e bllokon këtë seancë për hir të Kosovës dhe popullit. Ndërsa, Kadri Veseli ka tentuar dje t’ia mbyllë derën deputetëve për në Kuvend dhe vullnetit të 203 mijë qytetarëve në Peticion. Normalisht, nuk ka arritur. Dhe, s’do arrijë kurrë”, thuhet në fund të komunikatës së AAK-së./lajmi.net