Ymeri: Në partinë e Vuçiqit ka persona që morrën pjesë në masakrën e Mejës
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se ka zyrtarë në institucionet serbe, ka persona që kanë qenë të përfshirë në krime në Kosovë.

Lajme
Ai përmes një postimi në Facebook, ka përmendur emrin e Momir Stojanoviqit i cili ka qenë i “përfshirë” në masakrën e Mejës në Gjakovë.
Stojanoviq është pjesë e partisë së kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq.
Prandaj, thotë Ymeri, Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet të dialogojë me persona të tillë për normalizim marrëdhëniesh, raporton lajmi.net.
Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Visar Ymerit:
Dosja “Operacioni ‘Reka’” e përgatitur nga Fondi për të Drejtën Humanitare jep dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e Momir Stojanoviqit në masakrat në fshatrat e Gjakovës, veçanërisht në masakrën e Mejës, ku nuk ka mbijetuar asnjë dëshmitar. Stojanoviqi është i lindur në Gjakovë dhe gjatë luftës në Kosovë ka qenë udhëheqës i Sektorit për siguri në Korpusin famëkeq të Prishtinës të Ushtrisë së Serbisë.
Sot Stojanoviqi është deputet nga radhët e partisë së Aleksandar Vuçiqit (SNS) si dhe kryetar i Komisionit për mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë.
Këta kriminelë lufte domosdoshmërish duhen dënuar. Ky Parlament i Serbisë duhet dekriminalizuar. Kjo parti e Vuçiqit dhe ky njeri që mbanë të tillë njerëz në parti e Kuvend, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk mund të jenë të denjë për të dialoguar me ta. E aq më pak t’u plotësohen kërkesat në formë ‘Zajednice’ në Kosovë.
Por pse nuk kërkohet dekriminalizimi i Kuvendit të Serbisë?! (Deputeti Stojanoviq është vetëm një shembull ilustrues nga shumë të tillë). Apo mos ndoshta nuk ia kërkojnë dekriminalizimin Serbisë sepse atje mandej s’mbetet askush?! Fundja, kryeministri Aleksandar Vuçiq ishte ministër i informimit të Milosheviqit në vitet 1998 dhe 1999.
Nuk ka kuptim të flitet për pajtim dhe normalizim të marrëdhënieve pa dënimin e krimeve të luftës