Visar Ymeri i reagon Sava Janjiqit për sulmet ndaj Vetëvendosjes, harron UNESCO-në

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të kreut të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, i cili e quajti Vetëvendosjen fashistë.

Lajme

21/10/2015 13:52

Sava Janjiq ka një javë që po bën fushatë shumë të ashpër kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Ai ndër tjerash çdo ditë po publikon fotografi të kohës së pasluftës dhe të marsit 2004, kur disa shqiptarë dëmtuan monumente të religjionit ortodoks serb, transmeton lajmi.net.

Kreu i Manastirit të Deçanit po propagandon rrezik se me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, objektet e trashëgimisë serbe në Kosovë do të jenë nën përgjegjësinë e njerëzve të rrezikshëm shqiptarë.

Mirëpo deri më tani, përkundër fushatës së ashpër të Janjiq për kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, politikanët në Kosovë, si nga pozita ashtu edhe nga opozita, janë treguar të heshtur ndaj fushatës së tij, përjashtim të zëvendësministrit Petrit Selimi.

Ndërkaq, edhe kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, para pak minutave ka reaguar ndaj Sava Janjiq, mirëpo është marrë ekskluzivisht me sulmet e Janjiq ndaj VV-së. Në reagimin e tij, Ymeri askund nuk e kundërshton fushatën e Janjiq kundër anëtarësimit të shtetit të Kosovës në UNESCO, por merret veë me sulmin e tij ndaj VV-së. /lajmi.net

Ky është reagimi i plotë i Ymerit:

Gjuha e përdorur së fundmi nga një udhëheqës fetar në Kosovë, z. Sava Janjiq, është e papranueshme. Në komunikimin me zv. Ministrin P. Selimi, z. Janjiq shprehet për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe për aktivistët e saj në një mënyrë ofenduese dhe përbuzëse duke na quajtur neo-nazistë.

Gjuha e Sava Janjiq i bën jehonë në fakt gjuhës së vetë zv. Ministrit Selimi, i cili disa ditë më parë i ka quajtur aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! fashistë. Etiketime të tilla për ekstremizma të llojeve të ndryshme janë përdorur kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE! vetëm nga njerëzit pranë pushtetit në Kosovë për të vetmen arsye, sepse Lëvizja është i vetmi subjekt politik që nuk pranon “paqe pa drejtësi” dhe nuk pranon “stabilitet pa barazi”.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është një organizatë politike socialdemokrate që refuzon e lufton çdo veprim e qëndrim shoven, racist a fashizmi. Këtë e kemi të sanksionuar dhe në Statutin e organizatës tonë.

Sava Janjiq dhe Petrit Selimi i akuzojnë shqiptarët për atë që kurrë s’kanë qenë.

Janjiq-Selimi jo vetëm që përdorin të njëjtat terma për një Lëvizje të frymës çlirimtare e sovraniste siç është VETËVENDOSJE!, por po kurdisin të njëjtën të ardhme për Kosovën, pasi interesat e tyre janë të ngjashme. E ardhmja për të cilën ata punojnë është e ardhmja e një Kosove, çelësat e stabilitetit të së cilës do të varen në Beograd. Është e ardhmja ku mungesa e zhvillimit ekonomik do të shihet si fatalitet i pakapërcyeshëm. Është e ardhmja ku shqiptarëve do t’u mbetet si mundësi vetëm mërgimi, dhe kjo e ardhme ngjan me të shkuarën.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është kundër një të ardhme të tillë, e cila bart në vetvete realizimin shpirtëror të Millosheviqit.

Ne do të punojmë me vetësakrifikim maksimal për një Kosovë sovrane e republikane ku të gjitha minoritetet do të mbrohen e do të garantohen me të gjitha të drejtat, sipas konventave ndërkombëtare.

Ne do të punojmë për një Kosovë ku serbët do të mund të jetojnë si të barabartë, e ku të gjitha fetë e institucionet fetare do të ruhen si në çdo vend të Evropës.

Por vetëm një Serbi që dënon fashizmin politikisht e shoqërisht, që e njeh Kosovën e që merr përsipër pasojat e krimeve të kryera, do të krijonte kushtet e paqtimit fqinjësor në të ardhmen.

Visar Ymeri, Kryetar