Për 3 ditë lëshohen afër 4 mijë vërtetime për veteranë
Udhëheqësi i Zyrës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Zyrën e Kryeministrit, Faik Fazliu, ka bërë me dije të mërkurën për “Epokën e re”, se brenda tri ditëve rreth katër mijë veteranë janë pajisur me vërtetim për marrjen e pensionit në vlerë prej 170 eurosh.

Lajme
“Në përgjithësi procesi i lëshimit të këtyre vërtetimeve ka ecur mirë, me përjashtim në ditën e parë që janë shkaktuar disa tollovi të panevojshme dhe të paarsyeshme. Ka pasur numër të madh të veteranëve që kanë pritur të pajisen me vërtetime, megjithatë procesi ka shkuar shumë mirë dhe kemi lëshuar mbi 1 200 vërtetime në ditë. Pra, për këto tri ditë janë lëshuar 3 800 vërtetime”, ka thënë Fazliu, duke shtuar se veteranët nuk kanë arsye të vijnë dhe të presin në radhë pasi, sipas tij, nuk do të ketë afat të caktuar për lëshimin e vërtetimeve.
“Nuk ka afat të caktuar për marrjen e këtyre vërtetimeve, prandaj është mirë që veteranët mos të nguten për të pritur në radhë për t’u pajisur me vërtetim sepse vazhdimisht do t’i lëshojmë këto vërtetime”, ka treguar ai.
Fazliu ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të fillojë lëshimi i vërtetimeve edhe në degët e OVLUÇK-së në Deçan, Skenderaj, Gjilan dhe Burim.
“Në bazë të ligjit, vetëm ne jemi të obliguar t’i shpërndajmë vërtetimet, mirëpo kemi filluar bashkëpunimin edhe me disa degë të Organizatës së Veteranëve si në Deçan, Skenderaj, Gjilan dhe Burim, ku gjatë kësaj jave do të shpërndahen vërtetimet. Për ne këtu puna do të jetë e njëjtë, sepse do të vazhdojmë t’i lëshojmë vërtetimet, mirëpo dhënia e tyre në këto komuna do t’ua lehtësojë punën shumë veteranëve për faktin se ata nuk do të kenë humbje kohë për të pritur këtu në radhë, por edhe nuk do të kenë shpenzime për të ardhur në Prishtinë”, është shprehur Fazliu.
Po ashtu, Fazliu ka folur edhe për procesin e shqyrtimit të ankesave, me ç’rast ka bërë me dije se gjatë kësaj jave, eventualisht javën e ardhshme, do të përfundojë ky proces. “Gjatë kësaj jave pothuajse të gjitha zonat do ta mbyllin procesin e shqyrtimit të ankesave. Eventualisht mund të mbesin disa për javën e ardhshme”, ka thënë Fazliu.