Agim Bahtiri do të vazhdoj me LDK-në
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka demantuar zërat se do të bëjë koalicion me PDK-në, ndërsa ka siguruar se nuk do ta prishë koalicionin me LDK-në.

Lajme
Megjithatë, ai ka premtuar se do t’u qëndrojë besnik premtimeve të tij se të gjithë ata që nuk i përmbushin detyrat dhe përgjegjësitë që kanë nuk do të mundë të jenë pjesë e ekipit të tij qeverisës, pavarësisht se cilit subjekt politik i përkasin.
Në këtë mënyrë, kryetari i Mitrovicës ka shkarkuar gjashtë drejtorë të drejtorive, dy prej të cilëve i takojnë subjektit të tij, AK-së, tre të LDK-së dhe një i AAK-së.
Në një takim me gazetarë, kryetari i Mitrovicës ka precizuar se ka shkarkuar drejtorët: Ajmane Barani (Drejtoria e Arsimit), Nexharije Pllana (Drejtoria e Shëndetësisë), Mensur Beqiri (Drejtoria për Mirëqenie Sociale), Besim Beka (Drejtoria për Kadastër dhe Gjeodezi), Enver Uka (Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit) dhe Ardian Kavaja (Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport). Të martën, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe i Infrastrukturës, Blerim Baruti, ka dhënë dorëheqje, e cila është pranuar nga Bahtiri.
Ndryshimet në shtatë drejtori komunale, nga 14 sa ka ekzekutivi i Mitrovicës, sipas kryetarit Bahtiri do të mundësojnë efikasitet me të lartë në punë, ndërsa ka ripërsëritur se partneri qeverisës, LDK-ja, ka njerëz profesionistë, të cilët mund t’i zëvendësojnë tre drejtorët e shkarkuar. I pakënaqur Bahtiri ka mbetur edhe me njerëzit e subjektit të vet, dy nga të cilët gjithashtu janë shkarkuar.
Gjithashtu, ai këmbëngul se nuk do të bëjë koalicion me PDK-në, diçka që është përfolur shumë në ditët e fundit.
“Disa drejtorë nuk kanë treguar performancë, andaj kam vendosur që disa nga ata t’i lirojë nga pozitat që kanë mbajtur. Unë kam kërkuar nga partneri, me të cilin qeverisim Mitrovicën, që të gjejë njerëz të tjerë, sepse e di që LDK-ja ka njerëz shumë profesionistë, të cilët mund t’i çojnë proceset përpara. Ata mund të qeverisin më mirë sesa ata të deritashmit”, ka thënë Bahtiri.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka qenë i pakënaqur me disa nga drejtorët nga radhët e LDK-së edhe në vitin 2014, me ç’rast disa i kishte shkarkuar, gjë që kishte sjellë në krizë raportet me partnerin e koalicionit. Edhe atëherë kryetari pati kërkuar nga LDK-ja që të dërgojë njerëz të tjerë për t’i zëvendësuar drejtorët e shkarkuar. /Zëri