Takimi i parë i ministrit të FSK-së me komandantin e ri të KFOR-it
Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK) Haki Demolli ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, gjeneral major Guglielmo Luigi Miglietta me bashkëpunëtorë, në vizitën e tij të parë në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës prej që ka ardhur në këtë detyrë.

Lajme
Gjatë takimit, në të cilin kanë marrë pjesë edhe zëvendësministri Muhamet Latifi, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe këshilltari ushtarak i ministrit, kolonel Fadil Hadergjonaj, është biseduar për aspektet e sigurisë në Kosovë si dhe rreth çështjeve të bashkëpunimit dhe koordinimit në të mirë të sigurisë dhe stabilitetit në vend.
Demolli i ka shprehur komandantit Miglietta mirënjohjen për punën dhe angazhimin e KFOR-it në Kosovë në të mire të paqes, si dhe konsideratën e lartë për KFOR-in në këtë drejtim, si dhe gatishmërinë e drejtuesve të tij për bashkëpunim me Ministrinë dhe FSK-në me bindjen që edhe gjeneral Luigi Miglietta do ta vazhdojë dhe thellojë edhe më tutje këtë bashkëpunim të frytshëm që është kultivuar deri më tani.
Ndër të tjera, Demolli ka përmendur bashkëpunimin e mirë të ministrisë dhe FSK-së me KFOR-in me rastin e realizimit të operacioneve të kërkim shpëtimit në lumin Ibër, pastaj ndërtimin e urës në Lumbardh tek Manastiri i Deçanit si dhe projekte tjera në të mirë të qytetarëve.
Gjeneral Miglietta në takim me krerët e FSK-së ka thënë se atë e gëzon fakti se siguria në Kosovë është në nivel dhe gjithashtu bashkëpunimi i KFOR-it me institucionet e sigurisë në vend është në nivel dhe se kjo është një garanci për një ambient të qetë dhe të sigurt.
Kjo ishte vizita e parë e gjeneralmajor Migliettas në MFSK prej se është emëruar komandant i KFOR-it në Kosovë.