Gjilan: arrestohet personi të cilit iu gjetën katër kg substancë narkotike

Policia e Kosovës ka arrestuar personin me iniciale K.H nën dyshimin  se ka kryer vepër penale të tilla si trafikim me substanca narkotike.

Lajme

28/08/2015 17:21

Ngjarja ka ndodhur në Ferizaj të enjten në mesditë, përderisa prej datës 14 deri 27 gusht të këtij viti, oficerët e antidrogës kanë zhvilluar hetime lidhur me rastin e dyshuar dhe pas mbledhjes së informacioneve të nevojshme për veprim e kanë arrestuar personin në fjalë.

Gjatë arrestimit janë konfiskuar mbi 4 kilogram, respektivisht 4160.6 gram substancë narkotike e llojit marihuanë.

Policia ka realizuar edhe bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit dhe si provë relevante janë konfiskuar edhe një automjet furgon si dhe pesë telefona mobil.

Sipas policisë, të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin kompetent dhe për të dyshuarin është caktuar masa e ndalimit prej 48 orë, raporton lajmi.net.

Policia  e Kosovës, respektivisht  njësitet antidrogë, në luftën e pa kompromis kundër dukurive negative, krimit të organizuar dhe veçanërisht përpjekjeve për zbatimin e strategjive për luftimin e trafikimit me substanca narkotike, pas hetimeve intensive kanë realizuar me sukses edhe këtë operacion policor./lajmi.net